Rifillojnë gërmimet në Rahovec, gjenden mbetje mortore
Myrvete Axhami / RTK
Çështja e të zhdukurve gjatë luftës mbetet sfidë përveç zbardhjes së të vërtetës edhe për vënien e drejtësisë në vend. Përgjegjësia bie mbi regjimin serb të dikurshëm dhe politikat ndjekëse të po atij regjimi që shfaqen kohë pas kohe, shumë qartë. Gërmimet e fundit në zonën e Rahovecit rezultuan në gjetjen e mbetjeve mortore të një personi, ndërkohë që punimet në këtë lokacion pritet të zgjasin tri javë, varësisht nga kushtet e motit.
Eksperte të mjekësisë ligjore, policia dhe përfaqësues të EULEX-it, kanë rifilluar sërish gërmimet, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës në komunën e Rahovecit. Në muajin dhjetor, në Përzhina, pranë varrezave të qytetit, u gjetën mbetjet mortore të dy personave dhe disa pjesë kockore. Punimet në atë kohë u ndërprenë për shkak të motit të lig, ndërsa kanë rifilluar sërish.
"Kemi filluar nga java e kaluar, deri tash kemi gjetur të paktën mbetjet mortore të një individi, duke e shtuar këtu se në muajin dhjetor i kemi gjetur edhe dy individ të tjerë. Sipas planifikimeve, të paktën mund të merr kohë edhe për tri javë, sepse është një hapësirë bukur e gjerë, që duhet të kontrollohet, të shpresojmë që kushtet atmosferikë do të jenë në favorin tonë dhe ta përfundojmë me sukses këtë lokacion", tha dr. Valon Hyseni, antropolog, mjek ligjorë IML.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës në Rahovec, Qemajl Krasniqi, deklaron se mbetjet mortore të këtij lokacioni mund të jenë të personave nga komuna e Rahovecit, pasi në atë kohë ka pasur informacione për varrezë masive.
"Me shumë gjasë duhet të jenë nga Rahoveci, sepse këtu ka pas të varrosur, ka pas të groposur, mos ta them të varrosur gjatë asaj periudhë, ne e dimë fort mirë, kemi pas edhe të dhëna edhe nga mediat ndërkombëtare në atë kohë, se këtu ka pas një varrezë masive, që për fat të keq, më pas janë zhvendos disa prej kufomave të tyre, megjithatë, të dhënat figurojnë se këtu ende ka trupa të personave të pagjeturve, anda, gërmimet janë gjëja e duhur që janë duke ndodhur, shpresojmë se së shpejti të kryhen me sukses", tha Krasniqi.
Në përditësimin e të dhënave të Komisionit Qeveritar Për Persona të Zhdukur, me rifillimin e punimeve më 4 mars 2026, janë hasur pjesë kockore, të cilat janë zhvarrosur dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa ditën e hënë, janë evidentuar gjetje të mbetjeve mortore të paktën të një individi. Megjithatë, numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave përkatëse, përfshirë edhe identifikimin përmes ADN-së, thuhet në komunikatën e Komisionit Qeveritar Për Persona të Zhdukur.
Vetëm në komunën e Rahovecit, gjatë luftës së vitit 98-99, u regjistruan 802 viktima civile, ndërsa edhe pas më shumë se 27 vjetësh, ende figurojnë të zhdukur rreth 104 persona, 64 prej tyre nga Krusha e Madhe.























