Rasti i KEK-ut: Dëshmitari Kavaja sqaron procedurën e negociuar pa publikim
BKT
Lajme

Rasti i KEK-ut: Dëshmitari Kavaja sqaron procedurën e negociuar pa publikim

Sh.Çoçaj/RTKlive

(E plotësuar) Gjatë seancës në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporata Energjetike e Kosovës, Nagip Krasniqi, dëshmoi edhe Mustaf Kavaja, i cili ka shpjeguar detajet e aktivitetit të prokurimit për të cilin po zhvillohet procesi.

Sipas tij, ky aktivitet u realizua me procedurë të negociuar pa publikim, dhe në fund kontrata u nënshkrua nga të dyja palët.

“Si praktikë në zyrën e prokurimit çdo zyrtari i ndahen punët. Në një prej aktiviteteve që kam qenë i angazhuar është edhe aktiviteti për të cilin po diskutojmë. Ka qenë me procedurë të negociuar pa publikim. Kemi ardhur në fund me një kontratë të nënshkruar nga dy palët. Ecuria ka qenë se së pari e kemi njoftuar KRRPP në lidhje me zhvillimin e kësaj procedure, mandej e kemi përgatitur dosjen, ftesën dhe përshkrimin e çmimit. Ja kemi përcjellur operatorit ekonomik të cilit kontrata i është dhënë dhe i kemi ftuar që të dorëzojë ofertën dhe pastaj të zhvilloj negociata”, theksoi Kavaja, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Fikrije Fejzullahu.

Kur u pyet se kush e kishte ngarkuar me detyra, Kavaja tha se “drejtori i zyrës së prokurimit Ymer Dragusha”. Në lidhje me planin e prokurimit, dëshmitari theksoi se nuk më kujtohet.

Sa i përket përcaktimit të operatorit ekonomik për këtë aktivitet, Kavaja tha se informacionet për caktimin e operatorit ekonomik i ka marrë nga Ymer Dragusha.

Për marrjen e opinionit nga KRRPP, Kavaja deklaroi se sa i kujtohet është marrë një opinion. "Opinioni i dërgohet drejtorit të zyrës së prokurimit, dhe përmbajtja e tij për momentin nuk më kujtohet”, theksoi ai.

Pas pranimit të opinionit, dëshmitari tha se“e kam ngarkuar në platformë dhe kemi kthyer përgjigje KRRPP, duke ju dhënë argumente pse është ndërmarrë ky aktivitet dhe pastaj kemi vazhduar tutje”.

Kavaja ka folur edhe në lidhje me përcaktimin e lartësisë së garancionit të kontratës.

“Lartësinë ja kam drejtuar shefes së kabinetit të kryeshefit pasi që ka qenë me procedurë të negociuar të përcaktoj vlerën e garancionit të ekzekutimit dhe vlera ka qenë 10% e përcaktuar. Në atë kohë ka qenë 50%, për procedura të hapura”, theksoi ai.

Dëshmitari shtoi se nuk mund të vlerësonte nëse Zyra e Prokurimit kishte nevojë për konsulencë ligjore lidhur me procedurat.

Gjyqi ndaj ish-kryeshefit të KEK, dëshmitari: Nuk ka pasur favorizime

Në gjyqin ndaj ish-kryeshefit të Korporata Energjetike e Kosovës, Nagip Krasniqi, dëshmitari Emin Mava deklaroi se në procedurën e prokurimit për rregullimin e kaldajës A5 nuk ka pasur kritere favorizuese dhe nuk është shkaktuar dëm financiar.

“Në atë kohë kam qenë menaxher i departamentit dhe nuk i kam raportuar drejtpërdrejt, bashkëpunimi ka qenë korrekt në bazë të punës së përditshme”, tha Tmava, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga.

Ai mohoi çdo presion në lidhje me prokurimin e kaldajës A5, duke deklaruar, shkurt me “Jo”.

Për takimin me kryeshefin dhe Ymer Dragushën, dëshmitari tha se “përpos takimit që kam qenë me Ymer Dragushën unë nuk kam qenë në takime tjera”.

Ai sqaroi edhe diskutimin për mundësinë e vazhdimit të procedurës.

“Sipas procedurës së prokurimit nuk parashihet urdhër. Po flas nga ajo që kam dëgjuar dhe kam qenë në takim që ka ndodhur me kryeshefin dhe Ymer Dragushën. Kryeshefi ka kërkuar që të shikohet mundësia për shkak të afateve që të vazhdohet me procedura për nënshkrim të kontratës edhe pse komisioni ka rekomanduar për anulim. Ymer Dragusha ka thënë unë mund të vazhdoj vetëm nëse kam një kërkesë me shkrim nga ana jote apo urdhër… në atë takim është diskutuar se kryeshefi ka kërkuar se çfarë është ajo kërkesë apo urdhër dhe Ymeri i ka thënë se unë do të ndihmoj me përpilu tekstin e kërkesës, urdhrit”, thaksoi ai.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për dëm dhe kritere favorizuese, Mava theksoi se nuk ka pasur kritere favorizuese.

“Në aspektin e prokurimit dëm nuk ka, nuk është bërë as një pagesë si dhe nuk është prolonguar afati në punë të bllokut për shkak të këtij operatori”, tha ai.

Fillon seanca gjyqësore ndaj ish-kreut të KEK-ut, Nagip Krasniqi

Seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka nisur, ndërsa ai po përballet me akuzën për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjatë seancave paraprake, Krasniqi e ka cilësuar aktakuzën si të montuar, duke deklaruar se “aktakuza është e montuar” dhe se “qëndrimi im pesëmujor në paraburgim është i padrejtë.”

Sipas aktakuzës, Krasniqi së bashku me Ymer Dragusha dhe Isuf Zejna akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 37 milionë eurosh.

Në seancën fillestare të mbajtur më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre. Ndërkohë, Dragusha ka pranuar fajësinë pas arritjes së një marrëveshjeje me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

PSRK kishte ngritur aktakuzën më 30 dhjetor 2024 ndaj Krasniqit, Dragushës dhe Zejnës. Sipas kësaj aktakuze, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Përveç kësaj, Krasniqi përballet edhe me akuzën për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.”


MË SHUME NGA Lajme