Në Obiliq vetëm një familje strehuese aktive për fëmijë të braktisur|Video
BKT
Lajme

Në Obiliq vetëm një familje strehuese aktive për fëmijë të braktisur|Video

Qëndresa Duraku|RTK

Nga 44 familje sa janë në nivel vendi, në komunën e Obiliqit është vetëm një familje strehuese aktive, për fëmijët e braktisur.

Nga viti 2017  Fatmire Hoti është përkujdesur për fëmijë të moshave të ndryshme, disa nga të cilët tashmë janë adoptuar nga familje të tjera, ndërkohë që ka dhe të tillë që janë rikthyer te prindërit biologjik.

"Secili e ka lënë atë erën e vetë, frymën e vetë, fjalën e vetë, dashurinë e vetë, dritën se secili fëmijë sjellë dritë në veti. Shkëlqen shtëpia kur vjen një fëmijë edhe rritet në shtëpi tënde”, tha Hoti.

Sot, ajo kujdeset për fëmijën e shtatë.

“I marr të porsalidur dhe derisa t'i zgjidhet statusi. Ka fëmijë që mbesin nëpër familje shumë gjatë, mbesin deri 20 vjet. Te unë s’kanë mbetur, 3 vjet ai më së shumti që ka qëndruar, pa i bërë 3 vjet ka shkuar, të tjerët kanë shkuar më të vogël”, tha Hoti.

Përkrahja institucionale për familjet strehuese ka nisur të formalizohet së fundmi. Pushteti lokal tashmë ka vendosur t'u dalë në ndihmë me pagesa mujore të gjitha familjeve që strehojnë fëmijë pa përkujdesje prindërore.

“Çdo familje strehuese, që hap dyert dhe hap zemrën për ata fëmijë që mbesin pa përkujdesje prindërore, ne si komunë do t'i ndajmë një fond prej 350 eurove në muaj”, tha kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi.

Nga 44 familje strehuese, sipas Ministrisë së Drejtësisë, 30 ofrojnë shërbime aktive, ndërsa 14 janë në gatishmëri për të pranuar fëmijë sipas nevojave të Qendrave për Punë Sociale.  

Komunat, Ferizaj dhe Gjakova prijnë me nga shtatë familje strehuese secila. Ndërkohë që, në strehimin familjar brenda familjes biologjike janë 431 fëmijë, ndërsa jashtë familjes biologjike 64 fëmijë.

Strehimi familjar, si formë e mbrojtjes sociale, konform ligjeve në fuqi,  zbatohet për fëmijët e braktisur, të lënë pas dore, të keqtrajtuar apo në raste kur cenohet e ardhmja e tyre.

Familjet strehuese,  jashtë asaj biologjike përfitojnë 350 euro në muaj për secilin fëmijë, ndërsa 450 euro për fëmijët me aftësi të kufizuara.


MË SHUME NGA Lajme