Maqedonci diskuton me homologun belg bashkëpunimin në mbrojtje
Kimete Kasumi/ RTKlive
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me homologun belg, Theo Francken, në margjinat e panairit BEDEX 2026, i cili po mbahet në Bruksel.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Në fokus të bisedimeve ishte zhvillimi i industrisë së mbrojtjes, rritja e bashkëpunimit ndërmjet dy ushtrive përmes trajnimeve të përbashkëta, si dhe mundësitë për shkëmbimin e oficerëve për shkollim dhe avancim profesional”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, u theksua rëndësia e akreditimit të Atasheut të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në Belgjikë, i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti dhe që do të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ushtarak ndërmjet dy vendeve.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve të forta me aleatët e saj, duke avancuar me vendosmëri drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe integrimit euroatlantik”, theksohet tutje në njoftim.























