Është vetëdorëzuar në polici i dyshuari për vrasjen në Gjakovë
Valmira Saraçi|RTKlive
Është vetëdorëzuar në polici i dyshuari për vrasjen e plagosjen e sotme në Gjakovë. Kjo është konfirmuar për RTKlive nga drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
“Po, rreth orës 17:30 i dyshuari është vetëdorezuar në stacionin policor në Gjakovë”, tha Graishta për RTKlive.
I dyshuari, pronar i lokalit në Gjakovë ishte shpallur në kërkim nga policia, pasi i njëjti dyshohej se kishte ikur nga vendi i ngjarjes menjëherë pas të shtënave. Sipas informacioneve të policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 05 30 të mëngjesit.
“Sot rreth orës 05:30, policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, ku dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, gjë që është konstatuar nga ekipi mjekësor. Ndërkaq, personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, ishin informacionet nga policia.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Prokurori i Shtetit, ka iniciuar rast për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).























