Në Kosovë nuk mungon uji për ujitje, mungojnë edhe fermerët
BKT
Lajme

Në Kosovë nuk mungon uji për ujitje, mungojnë edhe fermerët

Arbana Hajredinaj / RTK

Në Kosovë nuk mungon uji për ujitje, por po mungojnë fermerët që ta punojnë tokën. Rënia drastike e numrit të bujqve dhe keqpërdorimi i tokës bujqësore po e thellojnë krizën në prodhimin vendor.

Kapacitetet ujore janë të mjaftueshme, por toka mbetet djerrë. Ekspertët paralajmërojnë rritje të varësisë nga importi i ushqimeve, në mungesë të politikave mbështetëse për bujqësinë.
Kosova, që nga viti 2005, ka në fuqi ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore. Sektori i bujqësisë në Kosovë po përballet me një situatë paradoksale.

Ndërsa infrastruktura për ujitje është e zhvilluar dhe kapacitetet ujore janë të mjaftueshme, mungesa e fermerëve dhe mosshfrytëzimi i tokës po pengojnë prodhimin vendor. Pas luftës, numri i bujqve ka rënë ndjeshëm, duke lënë sipërfaqe të mëdha të papunuara.

Pavarësisht investimeve në infrastrukturë për ujitje dhe kapaciteteve ujore të mjaftueshme, tokat bujqësore edhe më tej mbesin djerrina.
Statistikat flasin se përgjatë dy dekadave të fundit, numri i bujqve ka shënuar rënie deri në 60%.

“Ne kemi 29 stacione pompike, kemi rreth 700 kilometra kanal nëntokësor që mund të ujitin 6 deri në 7 mijë hektarë. Fatkeqësisht, interesimi për ujitje ka rënë dhe aktualisht ujiten vetëm rreth 2 deri në 3 mijë hektarë”, tha Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv në Iber-Lepenc.

“Dikur kemi pasur rreth 400 mijë hektarë tokë pune, ndërsa sot nuk ka të dhëna të sakta. Por, pa dyshim, jemi ndër vendet me më pak tokë të punuar për kokë banori”, tha Imer Rusinovci, ekspert i bujqësisë.

Problem në vete mbetet edhe keqpërdorimi i tokës bujqësore. Ekspertë të fushës vënë në pah mungesën e fermerëve aktivë dhe mosshfrytëzimin e tokës, që ndikon edhe në gjendjen e prodhimit vendor.
“Aktualisht ujiten rreth 18 mijë hektarë, përfshirë ujitjen formale dhe joformale, që është shumë pak krahasuar me potencialin që ekziston”, u shpreh Imer Rusinovci, ekspert i bujqësisë.

Ekspertët bëjnë thirrje për politika më të forta mbështetëse dhe mbrojtje të tokës bujqësore, në mënyrë që bujqësia të rikthehet në një sektor kyç të ekonomisë në vend.


MË SHUME NGA Lajme