Më 30 mars përkujtohet veprimtari i çështjes kombëtare Halil Alidema
BKT
Kulturë

Më 30 mars përkujtohet veprimtari i çështjes kombëtare Halil Alidema

Milaim Shefkiu/RTKLive

Nën patronatin e kryeministrit Albin Kurti, më 30 mars mbahet Akademia Përkujtimore për veprimtarin e çështjes kombëtare Halil Alidema.

"Të hënën, nga ora 18:00, në Instituti i Historisë Ali Hadri do të rikthehet në kujtesë një nga figurat që kontribuoi në organizimin politik të shqiptarëve në Kosovë në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, duke mbështetur rezistencën dhe organizimin institucional", thuhet në njoftim.

Akademia do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Halil Alidema u përball disa herë me burgosje për veprimtarinë e tij kombëtare: për herë të parë që në klasën e shtatë të shkollës fillore, më pas në vitin 1968 për çështjen e flamurit kombëtar, në vitin 1974 për angazhimin rreth Universitetit të Kosovës, si dhe në fillim të vitit 1981, kur u burgos si një ndër organizatorët kryesorë të të ashtuquajturit “Grupi i intelektualëve”.

Por kush ishte Halil Alidema. Ai lindi në Pozheran dhe që në fëmijëri u përball me tragjedi familjare nga dhuna serboçetnike, duke humbur babanë. U rrit me ndjenja të forta drejtësie dhe atdhedashurie, ndërsa shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe të mesmen në Shkollën Normale në Prishtinë, ku u shqua për guxim dhe aktivitet sportiv, veçanërisht në hendboll.

Që në rini kundërshtoi regjimin jugosllav, gjë që i solli burgosje dhe përndjekje të vazhdueshme. Punoi si mësues së bashku me bashkëshorten Teuta Kryeziu, duke kontribuar në arsimimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës.

Më pas u angazhua në Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe u bë pjesë aktive e demonstratave të viteve 1968 dhe 1981. Kreu studimet në Fakultetin Juridik dhe magjistroi në histori, ndërsa veprimtaria e tij përfshin edhe shkrime me karakter politik e kombëtar.

I angazhuar në jetën politike, fillimisht ishte pjesë e LDK-së, ndërsa më vonë edhe në UNIKOMB. Për shkak të ndjekjeve, veprimtarinë e vazhdoi në ekzil, kryesisht në Shqipëri, ku kontribuoi në organizimin dhe përgatitjen e strukturave të para të UÇK-së.

Në vitin 1995 e 1996 arriti me sukses të krijojë baza stërvitore në Shqipëri, në Palestrën Sportive “Partizani” në Tiranë, ku udhëheqës i grupit stërvitor ishte me pseudonimin “Agron Ligata”, pastaj Qendra e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Skënderbeu”, njëra nga këto baza, ku nën Komandën e Shtabit Operativ të asaj kohe janë stërvitur edhe Komandantët Legjendar të UÇK-së,  Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti.

Gjatë gjithë jetës mbeti i palëkundur në idealin për liri dhe pavarësi. Sot, emri dhe vepra e tij nderohen në institucione dhe hapësira publike në Kosovë.


MË SHUME NGA Kulturë