AAK kërkon lirimin nga TVSH dhe heqjen e akcizës për karburante
BKT
Lajme

AAK kërkon lirimin nga TVSH dhe heqjen e akcizës për karburante

Medina Pasoma / RTKlive

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për marrjen e masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend, pas ngritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës.

Në kërkesën të cilën shefi i grupit parlamentar Besnik Tahiri dhe deputetja Albana Bytyçi ia ka dorëzuar ministres Mimoza Kusari – Lila, thuhet se rritja e çmimit të naftës po ndikon në rritjen e kostos së transportit, prodhimit dhe furnizimit, si dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

“Në këtë drejtim, vlerësoj se masat duhet të jenë të menjëhershme dhe konkrete: 1. Lirimi i menjëhershëm i së paku 50% nga TVSH-ja për derivatet; 2. Heqja e përkohshme e akcizës për naftën deri në stabilizimin e tregut, që së bashku me TVSH do të ndikonte në uljen e çmimit për rreth 40 cent për litër; 3. Krijimi urgjent i një taskforce të përbashkët me Odën Ekonomike, Shoqatën e Naftëtarëve dhe shoqatat tjera relevante, në bashkëpunim me MINT dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave;  4. Marrja me qira e deponive ekzistuese në 5–6 pika kryesore dhe krijimi i rezervave maksimale strategjike të naftës”, thuhet në kërkesën e publikuar nga Tahiri në facebook.

Çmimi për litër naftë në Kosovë ka arritur në 1.72 euro për litër. 


MË SHUME NGA Lajme