Nis manifestimi tradicional Flakadani i Karadakut në Viti
Shqipe Gashi|RTKlive
Në Viti sot ka nisur manifestimi tradicional Flakadani i Karadakut, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe sportive në këtë komunë.
Për të folur më shumë rreth këtij aktiviteti, në një lidhje të drejtpërdrejtë ishte i ftuar drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë komunë, Valmir Sahiti, i cili theksoi rëndësinë që ka ky manifestim për Vitinë.
“Flakadani i Karadakut si manifestim tradicional gjithëkombëtar, kulturor e sportiv tashmë është bërë identitet i Vitinës për këto 25 vite. Vitia, brenda dhe jashtë kufijve të saj, identifikohet me këtë ngjarje të madhe, e cila mbledh rreth vetes të gjitha trojet shqiptare, si dhe diasporën”, u shpreh Sahiti.
Ai shtoi se gjatë ditëve të manifestimit zhvillohen aktivitete të shumta kulturore, sportive dhe letrare, ndërsa theksoi se ky organizim mbahet për të nderuar veprën e heroit të kombit, Njazi Azemi, i njohur si komandant Mjekra.
Sipas tij, gjatë këtyre ditëve, Vitia shndërrohet në një qendër të rëndësishme kulturore e sportive, ku marrin pjesë mbi 1200 pjesëmarrës, duke sjellë emocione, adrenalinë dhe atmosferë festive, por mbi të gjitha duke nderuar figurën e heroit Azemi.























