Epopeja e Dukagjinit, Haradinaj: Ndërhyrja e Amerikës ndali luftën
Valmira Saraçi|RTKlive
Në shënimin e 28 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit e në 27 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në kohë lufte shpresën më të madhe e patën te shqiptarët e institucionet e Shqipërisë.
“Kjo shpresë ishte e bazuar, falë tyre, falë ndihmës tyre e filluam luftën dhe e vazhduam këtë luftë”, tha Hardinaj.
Ndërkohë, Haradinaj thotë se ndërhyrja e Amerikës ka bërë që pak kohë më vonë të kryhet lufta e Kosova të jetë e çliruar. Kjo, sipas tij, është dëshmi e të qenit aleat me Amerikën.

“Ne si shqiptarë, e ne si Kosovë nuk turpërohemi, nuk e ulim vetën e nuk tregojmë asnjë dobësi nëse e respektojmë përjetësisht aleancën tonë të sigurisë, udhëheqësin e kësaj aleance që është Amerika, që i doli në ndihmë popullit tonë e mundësoi që të kthehen 1 milion njerëz të shpërngulur. Kush e do këtë tokë, kush i do këta njerëz e ruan si sytë e ballit këtë aleancë”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se nuk ka strukturë të sigurisë pa udhëheqës të sigurisë. “Udhëheqësi ynë i sigurisë është Amerika”, shtoi ai.
Derisa kujtoi betejën e 28 vjetëve më parë, Haradinaj tha se përgjegjësi e tyre ka qenë se çka ndodhë me luftën, çka ndodhë me UÇK-në, çka ndodhë me shqiptarët e Kosovës.
“Për fat të mirë epilogu i kësaj lufte rezultoi me fitoren e shqiptarëve, me të drejtën e shqiptarëve. Në fund të ditës edhe pse tre nga ne, nuk e kemi ditur që janë vrarë, e kishim një të plagosur, mirëpo rezultoi që shqiptarët e fituan këtë luftë. I plagosuri mungoi në vendbetejë për katër pesë ditë, kam qenë unë, por ata të tjerët e mbajtën zonën e luftës dhe siç e dini, shqiptarët e mbajtën këtë zonë”, tha ai.
AI tha se atë kohë bëri që lufta t’i takonte të gjithëve, sepse ishte luftë e popullit.
“Unë kam menduar se lufta jonë është e gjithë neve, dhe nuk është fare manipulim me të dhëna nëse ju them që çdo kryetar katundi në atë kohë e që ka qenë LDK, është bërë komandant i shtabit të UÇK-së në katund të vetë”, tha ai.
Haradinaj ka përmendur edhe ish-drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. “
“Me të drejtë presim me na u kthyer bashkëluftëtarët që gjykohen padrejtësisht, të kthehen të lirë”, tha ai.
Ndërsa, ish-gjenerali i ushtrisë shqiptare, Kudusi Lame, e quaji24 marsin e vitit 1998 si një nga momentet më domethënëse të luftës çlirimtare.

“Një nga çastet më të rëndësishme të rezistencës së armatosur shqiptare në Kosovë, një përballje që nuk ishte thjeshtë një betejë ushtarake, por një provë e madhe e karakterit dhe e guximit të vendosmërisë së popullit shqiptar për liri”, tha ai.























