Trashëgimia e Ibrahim Rugova, mes mendimit kritik dhe udhëheqjes paqësore
BKT
Kulturë

Trashëgimia e Ibrahim Rugova, mes mendimit kritik dhe udhëheqjes paqësore

Arjete Seferaj /RTK

Në Instituti Albanologjik, në Prishtinë, u mbajt tryeza shkencore me titull “Ibrahim Rugova, mendimtari dhe prijësi”, një aktivitet që mblodhi studiues, profesorë dhe personalitete të jetës akademike për të reflektuar mbi figurën dhe trashëgiminë e Ibrahim Rugova.

Ngjarja u hap me fjalë përshëndetëse, duke vënë në pah rëndësinë e Rugovës si një figurë kyçe në historinë moderne të Kosovës, jo vetëm si prijës politik, por edhe si mendimtar dhe kritik letrar.

Seanca e parë solli një qasje të shumëanshme mbi veprën dhe vizionin e tij. Studiuesit trajtuan rrugëtimin e Rugovës nga fillimet e tij modeste deri në përfaqësimin në skenën ndërkombëtare, duke ndalur te dimensioni i tij teorik në kritikën letrare dhe arti i leximit si pjesë e identitetit të tij intelektual. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe programit të tij nacional-kulturor dhe vizionit për zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke e vendosur Rugovën në një kontekst më të gjerë historik e kulturor.

Pas një pauze të shkurtër, seanca e dytë u përqendrua në figurën e Rugovës si intelektual publik dhe lider me vizion të qartë paqësor. Referuesit theksuan dimensionin e tij si pacifist, rolin e tij në ndërtimin e një paradigme të re të intelektualit në hapësirën shqiptare, si dhe kontributin e tij në letërsi dhe mendimin kritik. Diskutimet sollën interpretime të ndryshme mbi mënyrën se si Rugova ndërtoi një model unik të udhëheqjes, duke ndërthurur kulturën, politikën dhe komunikimin publik.

Tryeza u përmbyll me diskutime të hapura, ku u nënvizua nevoja për studime të mëtejshme mbi veprën dhe filozofinë e Rugovës, si dhe rëndësia e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë së tij në brezat e ardhshëm. Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë se figura e Rugovës mbetet një pikë referimi e rëndësishme në mendimin kulturor dhe politik shqiptar.


MË SHUME NGA Kulturë