Cakolli: Kushtetuesja rikonfirmon afatet për zgjedhjen e Presidentit
BKT
Lajme

Cakolli: Kushtetuesja rikonfirmon afatet për zgjedhjen e Presidentit

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese rikonfirmoi disa parime për afatet kushtetuese, sidomos në raport me zgjedhjen e Presidentit.

“Jo pse ato nuk ishin të kuptueshme si të tilla edhe më herët, por sepse, edhe një herë tjetër, u tentua që dispozitat kushtetuese të keqpërdoren për arsyetime politike,” tha ai.

Ai sqaroi gjithashtu çështjen e dekretit të Presidentes Osmani, duke theksuar se Gjykata nuk e cilësoi atë si akt antikushtetues, por vetëm si vendim pa efekt juridik.

“Gjykata në thelb e pranon që afati 30-ditor është detyrues dhe që mosrespektimi i tij ka pasoja. Por ajo sqaron se kjo pasojë nuk aktivizohet drejtpërdrejt përmes këtij afati, por përmes nenit 82, pra përmes afatit 60-ditor dhe shpërndarjes ‘ex constitutione’,” tha Cakolli.

Sipas tij, Gjykata mbyll edhe dilemën mes afateve 30 dhe 60 ditore. “Ato nuk janë dy afate që përdoren veçmas, por një mekanizëm i vetëm. Afati 60-ditor zhvillohet në funksion të afatit 30-ditor. Kjo nënkupton që procedura duhet të fillojë shumë më herët… Totali është 60 ditë, ku 30 ditët e fundit janë zonë e mbyllur që nuk mund të tejkalohet.”

Cakolli theksoi se vendimi vendos një standard të qartë për fillimin e kohës kushtetuese.

“Koha kushtetuese nuk fillon kur Kuvendi vendos të veprojë, por kur ai është në gjendje të veprojë. Prandaj nuk ka 60 ditë të reja, por vetëm kohë të mbetur nga një afat që ka filluar më herët”, tha ai.

 “Përgjegjësia mbetet te institucionet dhe partitë parlamentare që t’i zhvillojnë proceset kushtetuese në kohë, e jo t’i përshtatin ato sipas rrethanave politike”, theksoi Cakolli.


MË SHUME NGA Lajme