Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” nxiti reagime për pasaktësi
Visar Shatrolli /RTK
Ekspozita e vendosur më 24 mars në zemër të Prishtinës, nga autori i librit Masakrat në Kosovë 1998-1999, Shkëlzen Gashi, e cila synonte të dokumentonte rreth 50 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë, ka nxitur reagime të forta në opinionin publik. Gashi u kritikua ashpër nga të mbijetuarit, përfaqësues institucionalë dhe organizata të dala nga lufta, të cilët e vlerësuan përmbajtjen si të pasaktë dhe të dëmshme.
52 tabela të vendosura në kryeqytet, që kishin për qëllim të dokumentonin masakrat e viteve 1998-1999, u shndërruan nga një përpjekje për kujtesë në një burim dhimbjeje dhe revolte.
Ekspozita, në vend se të nderonte viktimat, nxiti reagime të fuqishme për shkak të asaj që shumë e konsiderojnë si shtrembërim të rëndë të së vërtetës historike. Në disa tabela, të dhënat nuk përputhen me faktet më themelore, përfshirë edhe numrin e viktimave.
Një nga rastet më të rënda është masakra e Dubravës, ku të dhënat e paraqitura ishin të pasakta. Autori, Shkëlzen Gashi, pretendon se aty janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë.
Megjithatë, kjo shifër bie ndesh me realitetin tragjik: nga 19 deri më 24 maj 1999, forcat serbe masakruan brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosën mbi 300 të tjerë. Për ata që i mbijetuan, këto nuk janë vetëm numra të pasaktë, por plagë që rihapen.
“Kur e kemi parë që aty shkruan 48? Është shtrembërim i historisë… Është përpjekje e qëllimshme për ta devijuar të vërtetën ... Nëse historia bazohet në burime të Serbisë, atëherë historia e Kosovës po rishkruhet nga Serbia, jo nga ne”, thotë Sadik Zeqiri, i mbijetuar i masakrës së Dubravës.
Edhe i mbijetuar tjetër, Visar Ballovci, kundërshton këtë narrativë, duke theksuar se viktimat ishin të paarmatosura.
Përballë këtyre reagimeve dhe përmbajtjes së pasaktë, Komuna e Prishtinës ndërhyri duke larguar fotografitë dhe të dhënat nga ekspozita.
“Ky revokim u bë për shkak të përmbajtjes së pasaktë dhe të pavërtetë, që rëndon kujtesën e kombit tonë”, thotë Luftar Braha, Drejtori i Shërbimeve Publike.
Reagime pati edhe nga niveli qendror. Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti, i cili në atë kohë ishte në burgun e Dubravës, tha se ekspozimi i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës është i papranueshëm dhe cenon të vërtetën historike.
Ai përmendi gjithashtu masakrën në Krushë e Madhe, ku paraqitet një narrativë e pavërtetë për viktimat.
Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së reagoi ashpër, duke e quajtur ekspozitën një fyerje ndaj gjakut të derdhur për liri. Sipas tyre, paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, veçanërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, është një akt i ulët moral.
Ekspozimi i materialeve ishte mbështetur edhe nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, në reagimin e fundit, Kuvendi tha se mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave, por përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të ekspozitës.























