Filharmonia e Kosovës debuton në Berlin me koncert madhështor koral
BKT
Kulturë

Filharmonia e Kosovës debuton në Berlin me koncert madhështor koral

Shqipe Gashi|RTKlive

Në prag të koncertit të 31 marsit 2026 në Berlin, janë duke u zhvilluar provat e përbashkëta në sallën Otto-Braun-Saal, ku po përgatitet një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore për Filharmonia e Kosovës.

Në këtë projekt të veçantë, Kori i Filharmonisë së Kosovës, Choralspace Festival Choir dhe Konzertchor Münster po bashkëpunojnë për një koncert që do të mbahet të martën mbrëma në Filharmonia e Berlinit.

Nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të prezantohen me një program të pasur vokalo-instrumental.

Në pjesën e parë të koncertit, Kori i Filharmonisë së Kosovës së bashku me Konzertchor Münster do të interpretojnë veprat “Ballin lartë!” të Valton Beqiri dhe “Requiem für Mignon, op. 98b” të Robert Schumann. Si solistë do të paraqiten Kaltrina Miftari, Elona Sadiku, Flaka Goranci dhe Simon Robinson.

Pjesa e dytë e koncertit do të sjellë një përvojë të veçantë korale në format 360°, ku koreve do t’u bashkohet edhe Choralspace Festival Choir. Rreth 400 këngëtarë do të interpretojnë veprën monumentale “Stabat Mater, op. 58” të Antonín Dvořák, me solistët Kaltrina Miftari, Flaka Goranci, André Khamasmie dhe Simon Robinson.

Ky koncert shënon debutimin e Filharmonisë së Kosovës në Berlin, duke përfaqësuar një moment të rëndësishëm për kulturën muzikore të vendit dhe prezantimin e saj në një nga skenat më prestigjioze ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Kulturë