Tahiri: Ekspozita dështim i shtetit, zgjedhja e presidentit pa marrëveshje
Valmira Saraçi|RTKlive
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar hetim dhe trajtim institucional lidhur me ekspozitën që sipas tij ka paraqitur pasaktësi mbi masakrat në Kosovë. Ai po ashtu ka komentuar procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se për të zgjedhur presidentin e Kosovës nevojiten 80 vota dhe se arritja e këtij numri kërkon marrëveshje politike.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se duhet të ketë hetim dhe trajtim institucional sa i përket çështjes së ekspozitës së që ekspozoi pasaktësi të masakrave në Kosovë.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se këtë gabim e konsideron dështim të shtetit.
“E konsideroj si dështim të shtetit, një gabim i trajtimit të një pike dhe ekspozite me përmbajtje aq të dëmshme që krijoi dhimbje pa kurrfarë përgjegjësie. Janë marrë disa qëndrime, mirëpo ajo që e them me përgjegjësi të plotë, ky ka qenë një dështim shumë serioz dhe një lëshim shumë serioz për të cilin duhet të ketë hetim e trajtim institucional”, ka thënë ai.
Lidhur me zgjedhjen e presidentit, Tahiri ka thënë se duhet të arrihet marrëveshje për t’i mbledhur 80 vota.
“Një formacion politik ka dëshirë ta marr edhe një institucion të pavarur siç është presidenti. Nuk i ka 80 vota për president, i ka 66 vota për qeveri, ia paftë hajrin, për me bërë presidentin e Kosovës duhet t’i kesh 80 vota. Për t’i pasur 80 vota duhet të arrish një marrëveshje. Këtë marrëveshje nuk e ka dashur, për shkak që i ka dashur dy njerëz të partisë së vetë, kaq është kjo punë e thjeshtë”, tha Besnik Tahiri shef i deputetëve të AAK-së.























