Arrestohen dy të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike në Prizren
BKT
Kulturë

Arrestohen dy të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike në Prizren

M.Shefkiu/RTKLive

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Prizren, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike dhe mbajtje në pronësi të armëve.

Sipas policisë, pas hetimeve dhe me autorizimin e prokurorit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake, më 2 prill është kontrolluar një shtëpi ku dyshohej se ndodhej një laborator për kultivim të bimëve narkotike të llojit kanabis sativa.

Gjatë kontrollit është arrestuar i dyshuari i parë. Veprimet policore janë zgjeruar me bastisjen e tri lokacioneve të tjera në Prizren, ku është arrestuar edhe i dyshuari i dytë mashkull kosovar.

Gjatë aksionit, sipas policisë, janë sekuestruar disa pajisje të ndryshme për kultivim bimësh narkotike: llampa ndriçimi, aparate ngrohjeje, klima, trafo, gypa ventilimi, pajisje matjeje për lagështinë dhe temperaturën, vegla pune, vazo, preparate kimike dhe pajisje të tjera.

Po ashtu bimë kanabis sativa; Një qese me marihuanë 1.19 gramë; Gjethe të bimës kanabis sativa me peshë 53.84 gramë; Dy qese me dyshohet kokainë, gjithsej 0.41 gramë; Aparat vakumi dhe qese plastike

Armë zjarri (pistoletë) e çmontuar me dy fishekë dhe 27 fishekë të tjerë dhe; Një veturë dhe një furgon me targa vendore

Policia njofton gjithashtu se të arrestuarit, dyshohet se kishin shkatërruar rreth 300 bimë kanabis sativa të mbjella brenda laboratorit, me gjatësi 20–30 cm, të cilat dyshohet se janë djegur.

Pas përfundimit të bastisjeve dhe sekuestrimit të dëshmive, të dyshuarit janë intervistuar në stacionin policor në prezencë të avokatëve të tyre dhe më pas janë ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit kompetent.


MË SHUME NGA Kulturë