Mjekimi shtëpiak, alternativë e rëndësishme për pacientët kronikë/Video
Flora Maxharraj/RTK
Shërbimi i mjekimit shtëpiak po zgjerohet si një formë gjithnjë më e domosdoshme e kujdesit shëndetësor për pacientët që nuk kanë mundësi të marrin trajtim të lehtë në institucionet shëndetësore.
Sipas shefes së shërbimit të mjekimit shtëpiak, doktoreshë Sahadete Kelmendi, ky shërbim po ndihmon dukshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve, duke u ofruar atyre kujdes profesional në ambientin e shtëpisë.
“Kategoria e pacientëve që marrin shërbime janë pacientët e palëvizshëm, të gjithë ata pacientë të cilët, për çfarëdo arsye shëndetësore, nuk mund të vizitojnë as qendrën më të afërt të mjekësisë familjare. Këtu hyjnë pacientët me paralizë, me sëmundje kronike, me diabet…”, deklaroi Sahadete Kelmendi, shefe e shërbimit shtëpiak.
Megjithatë, nga ky shërbim theksojnë se ende ka nevojë për zgjerim dhe mbështetje institucionale, në mënyrë që të mbulohen të gjitha kërkesat e pacientëve.
“100% jo, përafërsisht 90% të kërkesave të pacientëve i realizojmë, mirëpo çka bëjmë me këtë 10%? Pacientët me sëmundje kronike dhe që kanë terapi, përmes telefonit i këshillojmë të marrin terapinë të cilën e kanë, ose për çfarëdo shqetësimi që kanë, ndonjë vjellje apo diçka tjetër, deri në ditën e nesërme”, deklaroi Kelmendi.
Në një nga vizitat e sotme në shtëpi, një pacient vlerëson se ky shërbim ia ka lehtësuar dukshëm jetën, pasi nuk detyrohet të presë në radhë në qendrat shëndetësore apo të sigurojë transport për të marrë shërbime mjekësore.
“Shërbimi është shumë i mirë, na ka lehtësu veç mos mu maltretu, me prit në rend atje. Se unë i kam të amputum gishtat, s’muj me ecë… ish dasht me karrocë me shku. Kështu po na e lehtësojnë”, deklaroi një pacient.
Shërbimi i mjekimit shtëpiak mbetet një formë e rëndësishme në sistemin shëndetësor, duke e afruar kujdesin mjekësor më pranë pacientit dhe duke u mundësuar atyre trajtim më të lehtë e më të sigurt në kushte shtëpiake.























