Atletico Madrid dhe PSG kalojnë në gjysmëfinale të Champions League
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar, 23:00) - Atletico Madrid dhe Paris Saint-Germain kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League. Kjo pasi kanë eliminuar Barcelonën, respektivisht Liverpool.
Barcelona ka triumfuar të martën me rezultat 1-2 në “Metropolitano”, por kjo nuk ka mjaftuar, pasi katalanasit ishin mposhtur 0-2 në ndeshjen e parë. Atletico Madrid ka kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 3-2.
Skuadra mysafire e ka nisur ndeshjen më mirë, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt me golin e Lamine Yamal.
Në minutën e njëzet e katërt, Ferran Torres e ka dyfishuar epërsinë pas asistimit të Dani Olmo, duke i dhënë shpresë Barcelonës për përmbysje.
Megjithatë, vendasit kanë reaguar në minutën e tridhjetë e një kur Ademola Lookman ka shënuar për 1-2, gol që ka dalur të jetë vendimtar për kualifikimin e Atletico Madrid.
Në ndeshjen tjetër, Paris Saint-Germain ka fituar edhe në udhëtim ndaj Liverpool me rezultat 0-2.
Të dy golat janë realizuar nga Ousmane Dembele, fillimisht në minutën e shtatëdhjetë e dytë, pas asistimit nga Khvicha Kvaratskhelia e më pas edhe në kohën shtesë kur është asistuar nga Bradley Barcola.
Duke pasur parasysh fitoren 2-0 në ndeshjen e parë, PSG ka kaluar në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 4-0.
Në gjysmëfinale, Atletico Madrid do të përballet me fituesin e ndeshjes Arsenal dhe Sporting CP, ndërsa Paris Saint-Germain do të luajë kundër fituesit të përballjes Bayern Munich – Real Madrid.
Barcelona në epërsi ndaj Atletico Madrid, Liverpool–PSG pa gola
Barcelona është në avantazh ndaj Atletico Madrid pas pjesës së parë, ndërsa ndeshja tjetër mes Liverpool dhe Paris Saint Germain është mbyllur pa gola pas dyzet e pesë minutave të para.
Sonte janë duke u zhvilluar dy ndeshjet çerekfinale të Champions League.
Në stadiumin “Metropolitano”, Barcelona ka kaluar shpejt në epërsi ndaj Atletico Madrid.
Goli i ka ardhur në minutën e katërt, kur Lamine Yamal e ka shfrytëzuar një gabim në mbrojtje dhe ka shënuar për 0-1.
Në minutën e njëzet e katërt, Ferran Torres e ka dyfishuar epërsinë pas një asistimi të Dani Olmo, duke e çuar rezultatin në 0-2.
Atletico Madrid është rikthyer në lojë në minutën e tridhjetë e një, kur Ademola Lookman ka shënuar për rezultatin 1-2.
Në ndeshjen e parë skuadra e Madridit kishte fituar në fushën e Barcelonës me rezultat 0-2.
Në ndeshjen tjetër çerekfinale, mes Liverpool dhe Paris Saint-Germain, pjesa e parë është mbyllur pa gola.
Me rezultatin aktual, në rast se ndeshja përfundon kështu, më tutje do të kalonte skuadra franceze, pasi PSG ka fituar ndeshjen e parë me rezultat 2-0.























