Rasti i Banjskës drejt fundit, deklarohen të akuzuarit
BKT
Lajme

Rasti i Banjskës drejt fundit, deklarohen të akuzuarit

Donika Sherifi / RTK

Pas më shumë se dy vitesh nga sulmi terrorist në Banjskë, trupi gjykues pritet të shpallë të premten fjalën përfundimtare për tre të akuzuarit për terrorizëm: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Në seancat përfundimtare, të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre kanë mohuar të gjitha pikat e aktakuzës, duke pretenduar se nuk kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

Blagoje Spasojeviq ka deklaruar para gjykatës se nuk e konsideron veten terrorist dhe se nuk ka qëlluar apo lënduar askënd gjatë ngjarjes.

“Unë nuk mund të them se jam terrorist, sepse nuk kam vrarë dhe nuk kam lënduar askënd. Nuk kam shkrepur asnjë plumb ndaj policisë apo të tjerëve. Më vjen keq për vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe për të gjithë të dëmtuarit,” është shprehur ai.

Ndërkohë, avokati i Vladimir Toliq, Millosh Deleviq, ka theksuar se nuk ekziston asnjë dëshmitar që e lidh klientin e tij me sulmin në Banjskë.

“Asnjë dëshmitar nuk e ka parë apo identifikuar Vladimir Toliqin si pjesëmarrës në sulm,” ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, ka kundërshtuar pretendimet e mbrojtjes, duke theksuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për dënim të rëndë, përfshirë edhe burgim të përjetshëm.

Sipas tij, elementet e aktakuzës tregojnë për përgjegjësi të drejtpërdrejtë në një vepër penale shumë të rëndë, ndërsa ka përmendur edhe gjetjet e ekspertizës që lidhen me përdorim armësh gjatë sulmit.

Në lidhje me rastin është përfshirë edhe i arrestuari Stefan Raduloviq, për të cilin Prokuroria Speciale ka paraqitur prova se ka qenë i përfshirë në sulm. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar ngjarjen si tentim për aneksimin e veriut të vendit dhe ka kërkuar drejtësi të plotë për rastin.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Vendimi përfundimtar për tre të akuzuarit kryesorë pritet të merret në ditët në vijim. 


MË SHUME NGA Lajme