Gola në KiE: Kosova me zgjedhje të besueshme dhe demokraci funksionale
BKT
Lajme

Gola në KiE: Kosova me zgjedhje të besueshme dhe demokraci funksionale

M.Shefkiu/RTKLive

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në një fjalim të mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka vlerësuar proceset zgjedhore në Kosovë, duke i cilësuar ato si demokratike, paqësore dhe gjithnjë e më profesionalisht të administruara.

Sipas tij, edhe parregullsitë e vogla të evidentuara në raportet e institucionit janë trajtuar nga autoritetet vendore përmes rinumërimit të plotë të votave dhe nisjes së hetimeve përkatëse, çka, siç tha ai, dëshmon aftësinë e sistemit zgjedhor për vetëkorrigjim dhe garantim të llogaridhënies.

Gola gjithashtu komentoi edhe qëndrimin e Listës Serbe, duke theksuar se kjo parti ende nuk është distancuar nga sulmi në Banjskë, i cili sipas tij është udhëhequr nga një ish-nënkryetar i saj.

Duke folur për situatën gjeopolitike, ai tha se Kosova mbetet një aktor proaktiv dhe i besueshëm me orientim të qartë euro-atlantik.

Në këtë kontekst, ai ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar si një proces të bazuar në meritë dhe një hap që do të forconte stabilitetin dhe sigurinë demokratike në rajon, pas më shumë se dy vitesh pritje.

Në fund, Gola tha se Kosova duhet të shihet jo vetëm si demokraci e re, por si një demokraci funksionale që ka dëshmuar stabilitet dhe legjitimitet zgjedhor në praktikë.

Kujtojmë se nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola dhe Emilija Rexhepi janë duke përfaqësuar Kosovën në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë qëndrimit në Strasburg, Gola dhe Rexhepi do të marrin pjesë në punimet e sesioneve, mbledhjet e komiteteve dhe aktivitetet e tjera në kuadër të Asamblesë.


MË SHUME NGA Lajme