Në Hodonovc ndalohet traktor me mallra të kontrabanduara
BKT
Lajme

Në Hodonovc ndalohet traktor me mallra të kontrabanduara

M.Shefkiu/RTKLive

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kontrabandim me mallra në fshatin Hodonovc të komunës së Kamenicës, gjatë realizimit të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”.

Sipas njoftimit të Policisë, njësitet e Policisë Kufitare, pas sigurimit të informatave operative dhe përcjelljes përmes mjeteve teknike të vëzhgimit, kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë një rast të dyshuar të kontrabandimit.

Policia ka ndaluar një mjet bujqësor (traktor), i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Pas përcjelljes, traktori është ndaluar në fshatin Hodonovc, ndërsa vozitësi i tij, L.H. (i lindur më 1968), është intervistuar në cilësi të të dyshuarit.

Gjatë kontrollit të mjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar mallra të dyshuara si të kontrabanduara, konkretisht pjesë për mjete bujqësore-traktorë, në vlerë mbi 5 mijë euro.

Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa rasti është duke u hetuar më tej nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve ilegale, me qëllim të garantimit të rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.


MË SHUME NGA Lajme