Saime Isufi, gruaja që sfidoi UDB-në dhe mbajti gjallë frymën çlirimtare
Sahadete Krasniqi/RTK
“Bulja”, kështu e quanin bashkëveprimtarët e ilegalës, një emër që kishte alarmuar UDB-në jugosllave, duke e cilësuar si një nga personat më të rrezikshëm të kohës.
Por pas kësaj nofke fshihej një e vërtetë tjetër: një vajzë e re që nuk bënte asgjë më shumë, veçse e donte thellë atdheun. Me guxim të rrallë, Saime Isufi arriti të depërtojë në strukturat më të larta të ilegalës, duke u shndërruar në një zë të fuqishëm të rezistencës.
E frymëzuar nga atdhetarë të shquar dhe nga guximi i saj, Saime Isufi që në fillimet e aktivitetit ilegal u bë simbol i rezistencës. Ajo, së bashku me bashkëveprimtarët, ishte ndër organizatoret e demonstratave të vitit 1981, pas të cilave nisën përndjekjet për eliminimin e tyre nga UDB-ja famëkeqe.
"Do të vepronim, duhet të bënim diçka, që ne duhet ta çonim çështjen përpara dhe nuk kishim frikë aspak", kishte thënë Saime Isufi.
Në vitin 1982, në rrethana të vështira, kurorëzoi dashurinë me njeriun e zemrës, Kadri Zeka. Por kjo histori mori një kthesë tragjike. Pas atentatit ku humbi jetën bashkëudhëtari i saj, Saimë Isufi mbeti e vetme, por jo pa ideal. Ajo e deshi atdheun po aq sa e deshi Kadri Zekën dhe pas humbjes së tij, vazhdoi rrugën e tyre të përbashkët. Organizoi mitingje, demonstrata dhe ngriti zërin për Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke mbajtur gjallë frymën çlirimtare.























