Galushi: Qosja ishte zë i palëkundur për liri, demokraci dhe dinjitet
BKT
Lajme

Galushi: Qosja ishte zë i palëkundur për liri, demokraci dhe dinjitet

Valbona Thaçi / RTKLive

Deputeti i Kuvendit nga Grupi Multietnik, Erxhan Galushi, në fjalën e tij përkujtimore për akademik Rexhep Qosjen, e vlerësoi atë si një figurë që tejkalonte kufijtë e një profesioni të vetëm, duke e cilësuar studiues të shquar, kritik letrar të guximshëm, shkrimtar me peshë dhe mendimtar politik të përkushtuar ndaj së mirës shoqërore.

“Rexhep Qosja ishte figurë që tejkalonte kufijtë e një profesioni të vetëm. Ai ishte studiues i shquar, kritik letrar i guximshëm, shkrimtar me peshë dhe një mendimtar politik që nuk reshti së angazhuari për të mirën e shoqërisë”, tha Galushi.

Ai theksoi se për dekada me radhë, Qosja ishte një zë i qartë dhe i palëkundur në mbrojtje të lirisë, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit kombëtar.

“Për dekada me radhë, ai ishte një zë i qartë dhe i palëkundur për lirinë, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin kombëtar. Në Konferencën e Rambujesë, ai kontribuoi me vendosmëri në mbrojtje të të drejtave të popullit të Kosovës”, u shpreh deputeti.

Galushi shtoi se Qosja përfaqësonte një vizion të qartë për një shoqëri të lirë, demokratike dhe të barabartë.

“Ai përfaqësoi një vizion të qartë për një shoqëri të lirë, demokratike dhe të barabartë. Trashëgimia e pasur intelektuale dhe kombëtare e Rexhep Qosjes na thërret të jemi më të drejtë, më të hapur dhe më të përgjegjshëm ndaj njëri-tjetrit”, deklaroi ai.

Në fund, Galushi nënvizoi se mesazhi i Qosjes mbetet udhërrëfyes për të ardhmen e shoqërisë.

“Ajo na kujton se dialogu është rruga e vetme përpara dhe se respekti reciprok është themeli i një shoqërie të qëndrueshme”, përfundoi Galushi.


MË SHUME NGA Lajme