PDK: U mbrojt rendi kushtetues, zgjedhjet të caktohen brenda afateve
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe siç thotë PDK "një tentativë e rrezikshme për demokracinë".
Sipas PDK-së, përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues janë mbrojtur.
PDK thekson se pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, duke e cilësuar atë si shkaktar të krizave të njëpasnjëshme politike, të keqqeverisjes, krizave ekonomike, shpërdorimit të besimit të qytetarëve dhe abstenimit nga përgjegjësitë ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Në përputhje me Kushtetutën, sipas kësaj partie, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.
PDK u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të jenë të gatshëm për këtë proces demokratik dhe përmes votës së tyre të refuzojnë, siç thuhet, logjikën e përçarjes, bllokadës dhe aventurave institucionale.
Në fund, PDK vlerëson se Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim, si dhe për institucione funksionale dhe qeverisje që respekton Kushtetutën.
“Republika u mbrojt sot. Tani është radha e qytetarëve”, thuhet në reagim.























