Prishtina bëhet gati për edicionin e 16-të të "Chopin Piano Fest"
BKT
Kulturë

Prishtina bëhet gati për edicionin e 16-të të "Chopin Piano Fest"

Shqipe Gashi|RTKlive

Prishtina po bëhet gati të mirëpresë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të muzikës klasike në vend, edicionin e 16-të të Chopin Piano Fest Prishtina.

Ky festival, i cili tashmë është shndërruar në një traditë të mirëfilltë, do të hapet më 7 maj dhe do të ofrojë një program të larmishëm me koncerte solistike, muzikë kamertale dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

E ftuar në emisionin e mëngjesit në RTK, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Haxhiu-Pula, zbuloi detaje mbi përgatitjet dhe ecurinë e këtij edicioni. Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit profesional për të sjellë cilësi në jetën artistike të qytetit.

“Viti ishte i përmbushur me angazhime, me përgatitjet e edicionit, se është një punë bukur e madhe ekipore mbrapa çdo edicioni. Mirëpo, unë synimet i kam pasur prej fillimit që jam marrë me organizime gjatë jetës sime, edhe në shekullin e kaluar, por ajo çka dua të them është shumë, tepër e rëndësishme që profesionistët të angazhohen përkundër aktivitetit koncertal pianistike për shembull, ose si aspekt pedagogjik, vërtet që për këtë qytet me prurë diçka cilësore, domethënë këtë e kemi arritur se Chopin Piano Fest është bërë traditë, domethënë viti i 16, megjithatë është një numër jo i vogël”, tha ajo.

Sa i përket numrit të koncerteve, këtë vit festivali vjen me një format pak më të reduktuar në krahasim me vitin paraprak, si përgjigje ndaj kërkesave të publikut për një agjendë më pak të ngjeshur.

“Sivjet i kemi 12 koncerte, vitin e kaluar kanë qenë 15, domethënë jemi detyruar pakëz me zvogëlu publiku është ankuar që është shumë i ngjeshur. Por, mundem me ju thënë se festivali është etabluar, ka marrë identitetin e vet edhe gjithashtu korri diplomatik edhe ambasadat janë shumë të interesuara që mysafirët nga vendet e tyre të vijnë në Chopin Piano Fest. Ashtu që në start ne i kemi çdo vit, domethënë ambasadat të cilat interesohen, pyesin, edhe thonë që jemi shumë të interesuar që vitin tjetër prapë”, shtoi Haxhiu-Pula.

Me një identitet tashmë të konsoliduar, "Chopin Piano Fest" vazhdon të mbetet një pikëtakim i rëndësishëm për artistët ndërkombëtarë dhe diplomacinë kulturore në Kosovë.


MË SHUME NGA Kulturë