Nisin xhirimet e filmit të shkurtër “Run”
Shqipe Gashi|RTKlive
Kanë nisur zyrtarisht xhirimet e filmit të shkurtër debutues “Run”, një projekt që shënon fillimin e rrugëtimit kinematografik për regjisorin Florist Bajgora. Filmi, i cili është i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), vjen me producent Andi Bajgorën.
“Run” shtjellon një rrëfim intim, ku zbulimi i një kamere të zhgroposur shërben si mjet për të mbledhur kujtime të reja. Megjithatë, atmosfera e lumturisë ndërpritet nga personazhi i Selvisë, e cila sjell një lajm që ndryshon rrjedhën e ngjarjes, duke shënuar regjistrimin e fundit para një largimi të dytë.
Për realizimin e këtij projekti është angazhuar një ekip profesionistësh dhe një kast i gjerë aktorësh luajnë; Rozafa Çelaj, Era Balaj, Flamur Ahmeti, Aron Bajgora, Gentrit Shala, Molika Maxhuni, Selvete Krasniqi, Lira Bytyqi, Eli Gashi, e të tjerë.
Drejtor i fotografisë (DOP) dhe montazher është Leart Rama, skenografia është realizuar nga Deltina Syla, ndërsa kostumet nga Yllka Hashani.
Për zërin dhe miksimin është kujdesur Labinot Sponca, ndërsa grimi është punuar nga Lidona Berisha.
Ky film pritet të sjellë një perspektivë të re dhe emocionale në skenën e filmit të shkurtër në Kosovë.























