`Vdekja në Dubrovnik` shfaqja që sjell ballafaqimin me të kaluarën
BKT
Kulturë

`Vdekja në Dubrovnik` shfaqja që sjell ballafaqimin me të kaluarën

Lumira Kelmendi / RTK

Një shfaqje e bazuar në ngjarje të vërteta, e mbështetur në dëshmi, edhe pse teksti i saj ndonjëherë është absurd apo surreal, në thelb është plotësisht i vërtetë. Kjo është drama dokumentare “Vdekja në Dubrovnik”, që u shfaq para publikut në Prishtinë. Shfaqja bazohet në më shumë se 30 dëshmi të pjesëmarrësve në luftë, të cilët kanë rrëfyer histori të ndryshme.

Këto dëshmi janë mbledhur përmes një hulumtimi dhe janë shndërruar në një performancë teatrore që synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të nxisë reflektimin mbi rrethimin e Dubrovnikut.

Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, duke theksuar se kjo shfaqje vjen në kuadër të aktiviteteve të shumta që organizon ambasada, është shprehur se “përmes kësaj shfaqjeje, që në fokus ka ballafaqimin me të kaluarën, promovohet fqinjësia e mirë, raportet e mira ndërmjet vendeve të rajonit”.

Shfaqja “Vdekja në Dubrovnik” kontribuon në kulturën e kujtesës, në kundërshtim me kulturën e përhapur të harresës. Qëllimi i saj është të promovojë një qasje të përgjegjshme ndaj së kaluarës, kryesisht në Mal të Zi, në interes të paqes së qëndrueshme, besimit të ndërsjellë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Agnes Annells, zëvendësambasadore në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, është shprehur se “Qeveria britanike ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë e pajtimit dhe e përballjes me të kaluarën në të gjithë rajonin. Pikërisht për këtë arsye është shumë e rëndësishme për ne të vijmë këtu së bashku, për të mësuar dhe për të kujtuar”.

Kjo është një shfaqje për sulmin malazez ndaj Dubrovnikut, që filloi në vjeshtën e vitit 1991, për fushatën ushtarake dhe mediatike “Luftë për Paqe”, për kampin në Morinj dhe për pajtimin deklarativ mes kroatëve dhe malazezëve.

Për aktorin Emir Çatoviq, kjo është hera e parë që performon në Prishtinë.

“Ka qenë sfiduese të punosh me një material të tillë, por edhe frymëzuese për të lidhur publikun, si dhe të rinjtë që nuk dinë pothuajse asgjë për këto gjëra që kanë ndodhur mes dy vendeve tona, por edhe për t’u lidhur me njerëzit që kanë qenë pjesë e asaj kohe kur këto ngjarje ndodhnin në të kaluarën”, ka theksuar Çatoviq. 

Përderisa për aktorin Milos Kashçelan, përveçse sfidë, kjo shfaqje ishte përgjegjësi e madhe.

“Nuk kam qenë kurrë më parë në Kosovë. Kjo është hera ime e parë. Dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë të performoj këtu. Mendoj se ky lloj teatri dhe këto tema janë shumë të rëndësishme për gjithë rajonin, jo vetëm për Malin e Zi”, tha aktori. 

Dëshmitë mbi të cilat bazohet shfaqja gjithashtu janë botuar në librin “Kujtimet e Luftës - Rrethimi i Dubrovnikut 1991-1992, Kurrë më”, botuar nga Human Rights Action.

Shfaqja e dramës dokumentare “Vdekja në Dubrovnik” është realizuar në kuadër të projektit të Human Rights Action dhe Prazan Prostor, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe UNDP-së. Përderisa në Prishtinë kjo ngjarje është pjesë e projektit “Art for Peace”, i mbështetur nga British Council dhe i zbatuar në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë dhe Qendrën kulturore Barabar. 


MË SHUME NGA Kulturë