Sonte Shqipëria ngjitet në ‘Eurovision’, Agostini: Kishte njerëz që lotonin
BKT
Kulturë

Sonte Shqipëria ngjitet në ‘Eurovision’, Agostini: Kishte njerëz që lotonin

Valbona Thaçi / RTKLive

Përfaqësuesi i Shqipërisë në garën e madhe evropiane, “Eurovision”, Alis me këngën “Nan” sonte ngjitet në skenë në Vjenë në gjysmëfinalen e ngjarjes.

Sonila Agostini nga RTSH në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Mirëmëngjesi Kosovë” rrëfeu për emocionet që po e shoqërojnë ekipin shqiptar atje.

“Edhe dje gjatë kohës që ai këndonte në sallë, dëgjohej që thirrej emri i Alis dhe emri i Shqipërisë. Shumë fansa kishin dalë për ta pritur kur artistët po dilnin nga arena, ishin me flamuj të Shqipërisë. Kishte njerëz që lotonin sepse e kishin ndjerë shumë këtë këngë. Pjesa më e madhe ishin shqiptarë por kishte edhe të huaj që ishin të njohur me përkthimin e tekstit. Këto janë ogure të mira që së paku prej sonte të nisim rrugëtimin drejt finales”, tha ajo.

Agostini tha se janë takuar me shumë shqiptarë vullnetarë që kontribuojnë në “Eurovision” dhe ata kanë ndihmuar në lobimin e këngës “Nan”.

“Sonte në skenë ngjiten 15 këngëtarë, që vetëm 10 do të prekin finalen e ‘Eurovision’. Ai mban numrin 13 ashtu siç ai ka kodin për ta votuar. Sigurisht sonte të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm që kanë përqafuar këngën e Alis dhe duan ta votojnë, të gjithë ata që janë pjesë e vendeve që s’janë pjesë e Eurovision mund ta votojnë gjatë gjithë ditës së sotme, përveç orëve të transmetimit të spektaklit”, tha ajo.

“Gjithçka ishte e organizuar në mënyrë perfekte, në mënyrë të jashtëzakonshme me staf shumë të organizuar. Të gjithë si bletët nuk dukeshin kur bënin skenografinë, ndihmonin artistët për t’i kryer performancat e tyre live, e jashtëzakonshme për mënyrën se si koordinonin gjithçka”, tha Agostini për prapaskenat e garës së madhe evropiane.


MË SHUME NGA Kulturë