LVV: Hysni Mehani u sulmua brutalisht nga Sami Lushtaku e shoqëruesit e tij
Medina Pasoma / RTKlive
Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar sulmin fizik që ka ndodhur sot në Skenderaj ndaj kryetarit të qendrës së saj atje, Hysni Mehani. Sipas këtij subjekti politik, incidenti ka ndodhur në një lokal në qendër të qytetit. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, në një reagim të shkurtër në Facebook, ka deklaruar se qytetarët kanë reaguar ndaj provokimeve që, sipas tij, ju bënë atij.
“Është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Tutje theksohet se Hysni Mehani fillimisht është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë.
“Pas përpjekjes së Sekretarit të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë përse këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucioneve publike qendrore e lokale”, thuhet tutje në reagimin e LVV-së, ku është postuar edhe foto e Mehanit me fytyrë të gjakosur.
Vetëvendosje ka kërkuar nga organet kompetente ta trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, ky subjekt politik ka kërkuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës”, thuhet në fund të reagimit të LVV-së.
Ndërkaq, Lushtaku në postimin e shkurtër në Facebook, ka akuzuar, siç ka thënë 'pushtetin e Albin Kurtit' për tentim sulmi ndaj tij.
"Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si "Sami Serbia" qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan", ka shkruar Lushtaku.
Mehani i VV-së thotë se u sulmua fizikisht nga Sami Lushtaku
Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, ka raportuar se sot është sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe siç është shprehur ai ‘banda e tij’.
Një gjë të tillë Mehani e ka bërë publike nëpërmjet profilit të aktivistit tjetër të VV-së, Bahri Zabeli në Facebook, pasi thotë se përveç që është sulmuar i është marrë edhe telefoni.
“Të dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje”, ka shkruar ai.
RTKlive ka kontaktuar Policinë e Kosovës lidhur me këtë rast, por deri më tash nuk ka marrë përgjigje.























