Stafi i BKK-së trajnohet në Venecia nga ekspertët e bibliotekës Marciana
BKT
Kulturë

Stafi i BKK-së trajnohet në Venecia nga ekspertët e bibliotekës Marciana

Kimete Kasumi/ RTKlive

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka njoftuar se për dy ditë në Venecia është mbajtur një trajnim intensiv i stafit të saj në bibliotekën Marciana nga ekspertë të arkivave dhe të bibliotekës.

Sipas njoftimit të BKK-së, pjesëmarrësit u njoftuan me zhvillimin e librit të shtypur nga inkunabulat deri në shekullin XIX përmes koleksioneve të bibliotekës, aspektet materiale në studimin e dorëshkrimeve, procedurat e huazimeve për ekspozita, si dhe me shërbimet digjitale dhe sistemet informative për trashëgiminë bibliografike, duke u prezantuar praktikat dhe projektet e realizuara nga biblioteka Marciana.

Po ashtu, bëhet me dije se programi trajtoi evolucionin e katalogëve nga vëllimet e shekujve XV–XVII deri te mjetet moderne të përdorura ndër shekuj në Marciana, si dhe formimin, menaxhimin dhe vlerësimin e trashëgimisë arkivore.

“Stafi i bibliotekës u njoh edhe me trashëgiminë muzikore të bibliotekës, historinë e saj që nga themelimi dhe Sallat Monumentale të institucionit”, thuhet në njoftim.

Projekti i Universitetit të Prishtinës, me koordinatore prof. Majlinda Bregasi u udhëhoq nga studiuesja e mirënjohur veneciane Lucia Nadin.


MË SHUME NGA Kulturë