Flick vazhdon kontratën te Barcelona pas suksesit me titullin kampion
BKT
Sport

Flick vazhdon kontratën te Barcelona pas suksesit me titullin kampion

Uran Krasniqi / RTKLive

Trajneri gjerman, Hansi Flick, do të vazhdojë të jetë në krye të Barcelonës edhe për disa vite të tjera, pasi klubi katalanas ka njoftuar vazhdimin e kontratës së tij për dy sezone, me mundësi zgjatje edhe për një vit shtesë.

Vendimi vjen pasi Flick e ka udhëhequr Barcelonën drejt titullit kampion në Spanjë, duke bindur drejtuesit e klubit për vazhdimësinë e projektit.

Në një deklaratë zyrtare, Barcelona e ka vlerësuar punën e trajnerit gjerman, duke theksuar se ai ka sjellë tituj, rekorde dhe një vizion të qartë për të ardhmen e skuadrës.

Flick kishte bërë të ditur edhe javën e kaluar se ndihej mirë te Barcelona dhe ishte i gatshëm të vazhdonte punën me klubin. Ai kishte deklaruar se synon ta rikthejë skuadrën në majat e futbollit evropian dhe të fitojë Champions League.

Sipas raportimeve, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, dëshiron që Flick të mbetet në klub për një periudhë më të gjatë, megjithatë trajneri gjerman preferon kontrata afatshkurtra.

Flick mori drejtimin e Barcelonës në vitin 2024 dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar dy tituj kampionë si dhe një trofe të kupës. Në sezonin aktual të Champions League, Barcelona ishte eliminuar në çerekfinale nga Atletico Madrid.