Profesorët në RTK Prime: Gjuha shqipe po cenohet në Maqedoninë e Veriut
BKT
Lajme

Profesorët në RTK Prime: Gjuha shqipe po cenohet në Maqedoninë e Veriut

Kimete Kasumi/ RTKlive

Një protestë e studentëve shqiptarë në Shkup ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe respektimit të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Ligjin për Gjuhët në Maqedoninë e Veriut.

Në emisionin “RTK Prime”, profesori Mersim Maksuti deklaroi se revolta nuk kishte të bënte vetëm me kërkesën që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, por me zbatimin më të plotë të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.

Sipas Maksutit, studentëve shqiptarë prej vitesh u cenohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, ndonëse kjo e drejtë mbështetet nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe nga Kushtetuta e shtetit. Ai theksoi se protesta ishte dinjitoze dhe përfaqësonte pakënaqësinë e qytetarëve ndaj, siç u shpreh ai, “ngushtimit të frymës së përdorimit të gjuhës shqipe”.

“Dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë e studentëve dhe është e garantuar me ligj dhe kushtetutë”, deklaroi Maksuti, duke shtuar se ligji aktual parasheh një përdorim më të avancuar të shqipes krahasuar me periudhat e mëhershme.

Ndërkohë, profesori Abil Baush vlerësoi se studentët shqiptarë kanë treguar vazhdimisht kualitet dhe sukses, por sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë bërë “shumë lëshime politike”, duke mos arritur të shtyjnë përpara realizimin e plotë të të drejtave të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën.

Ai theksoi se gjeneratat e reja të studentëve dallojnë nga ato të mëhershmet, pasi sot kanë mbështetje më të madhe publike jo vetëm nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria.

Nga ana tjetër, profesori Nuri Bexheti deklaroi se mungesa e përparimit të Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane dhe problemet me fqinjët, si kontesti me Bullgarinë, kanë bërë që politika të fokusohet në çështje të brendshme dhe retorikë nacionaliste.

Ai rikujtoi se Marrëveshja e Ohrit u ndërtua mbi parimet e ndaljes së dhunës, ruajtjes së shtetit unitar, karakterit shumetnik dhe decentralizimit të pushtetit lokal. Sipas Bexhetit, problemi qëndron te mungesa e vullnetit politik për zbatimin e ligjeve që burojnë nga Kushtetuta.

“Ne flasim për zbatim të ligjeve për të cilat nuk ka vullnet të zbatohen”, u shpreh ai, duke sqaruar se gjuha shqipe në Kushtetutë përmendet përmes formulimit që njeh si gjuhë zyrtare çdo gjuhë që flitet nga mbi 20 për qind e qytetarëve në shtet.

Nga ana tjetër, profesori Fatos Rushiti tha se protesta pati jehonë të madhe në opinion dhe u karakterizua nga kujdesi që të mos politizohej nga ish-eksponentë politikë, veçanërisht nga BDI-ja, e cila aktualisht ndodhet në opozitë.

Rushiti deklaroi se BDI-ja ka të drejtë politike t’i kapitalizojë zhvillimet, por e cilësoi atë si një parti “shumë të konsumuar” pas 22 vitesh në pushtet. Sipas tij, pikërisht gjatë periudhës së qeverisjes së saj nuk është rregulluar si duhet çështja e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

“Përgjegjësia politike, nëse e shohim nga perspektiva kohore, u takon më shumë atyre që kanë qenë për vite të tëra në pushtet”, u shpreh Rushiti, duke shtuar se problemet me zbatimin e të drejtave gjuhësore kanë qenë të vazhdueshme në Maqedoninë e Veriut.

Profesori Kadri Kryeziu tha se në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë tri kategori të gjuhës në aspektin kushtetues: gjuha zyrtare, gjuha në përdorim zyrtar dhe gjuha në përdorim, duke theksuar se shqipja në Maqedoninë e Veriut nuk trajtohet plotësisht si gjuhë zyrtare.

Sipas tij, në praktikën gjyqësore shumica e seancave zhvillohen në gjuhën maqedone dhe vetëm në raste të caktuara përkthehen për shqiptarët, çka sipas Kryeziut tregon kufizimet në përdorimin real të gjuhës shqipe në institucione.

Ai vlerësoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë mbi 30 për qind të popullsisë dhe se Marrëveshja e Ohrit synonte që ata të trajtohen si popull konstituiv i shtetit, por zbatimi i kësaj ka mbetur i mangët për shkak të mungesës së ligjeve derivative dhe akteve nënligjore në sektorë të ndryshëm si drejtësia, arsimi dhe shëndetësia.

“Këtu fajtor është shteti, sepse është dashur të ketë presion të jashtëzakonshëm që të mos ketë diskriminim të kësaj natyre”, deklaroi Kryeziu.

Ai theksoi se është e papranueshme që studentët e Fakultetit Juridik të mos kenë mundësi ta mësojnë “ABC-në e së drejtës” në gjuhën shqipe.

“Studentët kanë plotësisht të drejtë. Studentët gjithmonë fitojnë”, u shpreh Kryeziu, duke shtuar se më shumë përkujdesje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut është dashur të ketë edhe nga shqiptarët e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme