Shoqata Atlantiku përkrah studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
Valbona Thaçi / RTKLive
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shoqata “Atlantiku” ka shprehur përkrahje të plotë për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
Në një deklaratë, shoqata thekson se gjuha shqipe është e drejtë historike, kombëtare dhe kushtetuese.
“Gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë historike, kombëtare dhe kushtetuese. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e veta dhe si faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut, nuk duhet të detyrohen ta diskutojnë ende të drejtën e dygjuhësisë”, thuhet në deklaratë.
Shoqata “Atlantiku” ka vlerësuar se çdo përpjekje për kufizimin e gjuhës shqipe përbën, siç thuhet në deklaratë, “vazhdimësi të një mendësie të vjetër antishqiptare, e cila ka prodhuar padrejtësi, tensione dhe provokime të panevojshme”.
Në reagim, ajo u bën thirrje partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon që të veprojnë të bashkuara dhe kërkon reagim edhe nga Bashkimi Evropian.
“Kjo çështje duhet të garantohet qartë me ligj dhe të mbrohet edhe nga Bashkimi Evropian, sepse pa respektimin e të drejtave të shqiptarëve nuk mund të ketë paqe, stabilitet dhe drejtësi në rajon”, thuhet tutje në deklaratë.
Shoqata vlerëson se studentët shqiptarë kanë dalë në protesta pas përpjekjeve për kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe arsimore, duke shtuar se kjo çështje ka nxitur debate politike dhe tensione ndëretnike.
Në përfundim, Shoqata “Atlantiku” thekson se respektimi i të drejtave gjuhësore të shqiptarëve është kusht i domosdoshëm për stabilitetin dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.























