Kusari-Lila: Auditimi shtyllë e transparencës ekonomike
Valbona Thaçi / RTKLive
Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës ka shënuar 25-vjetorin e themelimit. Në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar në Prishtinë, u tha se auditimi është një nga shtyllat kryesore të besueshmërisë dhe transparencës së zhvillimit ekonomik të vendit.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar rolin e kontabilistëve dhe auditorëve në forcimin e transparencës, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin institucional të Kosovës.
Kusari-Lila tha se Shoqata ka kontribuar në ndërtimin e kulturës së përgjegjësisë financiare, besimit në raportimin e saktë dhe përafrimin e Kosovës me standardet ndërkombëtare.
“Sot, kur po flasim për institucione më të forta, për ekonomi më konkurruese, për investime më të sigurta dhe për qeverisje transparente, flasim edhe për kontributin e mijëra profesionistëve të certifikuar”, tha ajo.
Ajo theksoi se para 25 vitesh, Kosova po ndërtonte institucionet e para demokratike dhe ekonominë e tregut, ndërsa në atë periudhë u hodhën themelet e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit.
“Para 25 viteve, Kosova po ndërtonte institucionet e saja të para demokratike, ekonominë e tregut dhe besimin e një të ardhme të re. Ende nuk ishim shtet, ende aspironim të bëheshim atë që jemi sot”, deklaroi Kusari-Lila.
Sipas saj, në kohën kur mungonin strukturat, standardet dhe përvoja institucionale, u krijuan bazat e një profesioni që sot përbën “njërën ndër shtyllat kryesore të transparencës, besueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik”.
Duke folur për zhvillimet teknologjike, ajo tha se inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë mënyrën e menaxhimit financiar dhe analizës së të dhënave, por nënvizoi se kapitali njerëzor mbetet vendimtar.
“Jetojmë në një kohë kur teknologjitë e reja dhe inteligjenca artificiale po e ndryshojnë mënyrën se si përgatiten raportet financiare, si interpretohen të dhënat, si menaxhohet rreziku dhe si mbrohet siguria financiare”, tha ajo.
Kusari-Lila vlerësoi gjithashtu investimin në profesionistët e rinj, duke theksuar se “investimi në kapitalin njerëzor bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm dhe asnjëherë i zëvendësueshëm”.
Në përmbyllje, ajo e cilësoi Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës si “partner të denjë dhe kredibil të shtetit dhe të zhvillimit ekonomik”, duke uruar organizatën për 25-vjetorin e themelimit.
Ndërsa kryetarja e Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK), Fitore Neziri, ka deklaruar se 25-vjetori i themelimit të shoqatës përfaqëson një moment krenarie institucionale, reflektimi dhe mirënjohjeje për ndërtuesit e saj.
“Sot kemi shumë më tepër se një përvjetor. Sot kemi një moment krenarie institucionale, një moment reflektimi për rrugën që kemi kaluar dhe mbi të gjitha, një moment mirënjohjeje për njerëzit që ndërtuan këtë histori”, tha Neziri.
Ajo theksoi se SCAAK nuk po shënon vetëm një përvjetor organizativ, por “25 vite të ndërtimit të besimit, 25 vite të ngritjes së standardeve profesionale, 25 vite përkushtim në interesin publik dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.
Neziri vlerësoi se themelimi i shoqatës në vitin 2001 u bë në rrethana të vështira për Kosovën, kur vendi po rindërtonte institucionet bazë.
“Në ato rrethana të jashtëzakonshme, të ndërtoje një organizatë moderne të kontabilitetit dhe auditimit kërkonte jo vetëm dije profesionale, por edhe guxim, vizion dhe besim në të ardhmen”, u shpreh ajo.
Sipas saj, SCAAK është shndërruar në një institucion me ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit, ndërsa theksoi se arritja më e madhe e shoqatës janë profesionistët e formuar ndër vite.
“Ata janë njerëzit që mbajnë gjallë besimin në sistemin financiar dhe ekonomik të vendit tonë. Sepse profesioni ynë është më tepër se numra. Është profesion i besimit”, tha Neziri.
Ajo kujtoi edhe anëtarësimin e SCAAK në Federatën Ndërkombëtare të Kontabilitetit (IFAC) në vitin 2009, duke e cilësuar atë si moment historik.
“Ky ishte një moment historik për përfaqësimin e profesionit tonë në Kosovë… kjo ishte dëshmi se standardet tona tashmë flisnin gjuhën e botës”, deklaroi ajo, duke shprehur mirënjohje për IFAC.
Neziri përmendi gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar të shoqatës përmes anëtarësimeve në EFAA, FCM dhe CFE, duke vlerësuar edhe zgjedhjen e Nazmi Pllanës në krye të FCM-së.
Në fjalën e saj, ajo tha se SCAAK ka ruajtur vlerat profesionale pavarësisht sfidave.
“Përballë çdo sfide, SCAAK-u ka zgjedhur vlerat etike, profesionalizmin dhe standardet”, theksoi ajo.
Duke folur për të ardhmen, Neziri u shpreh se zhvillimet teknologjike dhe kërkesat për transparencë e rrisin edhe më shumë përgjegjësinë e shoqatës.
Në përmbyllje, ajo falënderoi themeluesit, institucionet dhe partnerët vendorë e ndërkombëtarë, si dhe ish-drejtoreshën ekzekutive Ardiana Bunjaku, për kontributin në zhvillimin e SCAAK.























