Shqipëria nis fazën përmbyllëse në procesin e anëtarësimit
BKT
Lajme

Shqipëria nis fazën përmbyllëse në procesin e anëtarësimit

Gjeraqina Tuhina/RTK

Shqipëria nisi zyrtarisht fazën përmbyllëse në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Shteti mori dritën e gjelbër për nisjen e mbylljes së kapitujve në kuadër të procesit të integrimit. Bëhet fjalë për fazën më të rëndësishme të procesit, e cila eventualisht çon drejt anëtarësimit të plotë të shtetit në Bashkimin Evropian.

Për kryeministrin shqiptar, ky është një moment i jashtëzakonshëm.

“Është një moment shumë, shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës, nëse duhet ta them kështu, e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet”, deklaroi kryeministri Edi Rama. 

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e përgëzoi shtetin për të arriturat që janë bërë në proceset integruese.

“Ky është një arritje për t’u festuar. Është një njohje e më shumë se një dekade pune të palodhur. Kjo nuk mund të ndodhë brenda natës. Pra, kur po konfirmojmë standardet e përkohshme mbi sundimin e ligjit, po konfirmojmë se puna juaj e 10 ose edhe më shumë viteve të fundit në këtë fushë ka qenë e suksesshme”, tha Kos.

“Kjo është një arritje vërtet e rëndësishme dhe një njohje e rëndësishme e përpjekjeve të vazhdueshme të reformave të Shqipërisë dhe angazhimit politik të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane. Ky moment historik i lejon Shqipërisë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit. Sapo të përmbushen kushtet përkatëse, ne fillojmë mbylljen e përkohshme të kapitujve negociues”, deklaroi Marilena RAOUNA, zëvendësministre për çështje evropiane e Qipros.

Shqipëria në vitin 2025 theu rekorde duke hapur të gjitha negociatat e anëtarësimit brenda një viti. Faza e fundit, ndonëse është më e gjatë dhe më e ngarkuar, vetëm sa e betonon pozicionimin e Shqipërisë si vendi i dytë në listën e shteteve më të avancuara në procesin e integrimeve. Vendimi për nisjen e mbylljes së kapitujve vjen pasi shtetet anëtare adoptuan raportin për progresin që ka bërë vendi në sundimin e ligjit.

 


MË SHUME NGA Lajme