Në Prizren u zhvillua gara e raftingut në kuadër të Bunarfestit
Enis Tabak /RTK
Prizreni ishte nikoqir i garave të raftingut të organizuara në kuadër të edicionit të 22-të të Bunarfestit, të cilat zgjuan interesim të madh te pjesëmarrësit vendorë dhe ndërkombëtarë. Në lumin Lumbardh, rreth 100 garues zhvilluan një garë të fortë duke përdorur goma kamionësh dhe traktorësh.
Garuesit u përballën në ujërat e freskëta të Lumbardhit në përpjekje për të siguruar vendin e parë, ndërsa gara përfundoi në vijën e finishit, e vendosur pranë Urës së Gurit në qendrën historike të Prizrenit. Ngjarja u ndoq nga vizitorë të shumtë nga Kosova, si dhe nga vende të ndryshme të Evropës dhe Ballkanit.
Përveç garave të raftingut, në kuadër të Bunarfestit u organizuan edhe koncerte, performanca të DJ-ve dhe aktivitete të ndryshme kulturore. Para festivalit u mbajtën gjithashtu aktivitete për pastrimin e mjedisit, ku vullnetarët larguan mbeturinat nga shtrati i lumit dhe hapësirat përreth, duke promovuar rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
Bunarfesti, i cili organizohet tradicionalisht në Prizren dhe mbledh çdo vit një numër të madh vizitorësh, vazhdon të jetë një nga festivalet më të rëndësishme të qytetit, duke bashkuar sportin, argëtimin dhe ndërgjegjësimin për mjedisin.



























