Rikthehet edicioni III i `Literary Fiesta`
Kimete Kasumi/ RTKlive
Ka nisur edicioni i tretë i "Literary Fiesta", aktiviteti kulturor që promovon leximin dhe letërsinë, ndërsa do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh deri më 7 qershor.
Koordinatori i aktivitetit, Elvin Blakaj në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se dita e parë e festivalit iu kushtua fëmijëve me rastin e 1 Qershorit, duke ofruar zbritje të veçanta për librat për fëmijë dhe aktivitete të shumta argëtuese e edukative.
Sipas tij, nga data 2 deri më 7 qershor, vizitorët do të kenë mundësi të përfitojnë zbritje deri në 50 për qind në tituj të përzgjedhur, ndërsa një numër i madh librash do të ofrohen me ulje prej 20, 30 dhe 40 për qind.
Në kuadër të festivalit janë planifikuar edhe aktivitete të ndryshme kulturore, përfshirë lexime publike, vizita të nxënësve nga shkolla të ndryshme dhe programe artistike që synojnë ta bëjnë librin më të afërt për publikun.
Blakaj theksoi se bashkëpunimi me shkollat mbetet një nga prioritetet kryesore të librarisë, duke vlerësuar se nxitja e leximit te fëmijët ndihmon në formimin e qytetarëve me mendim kritik dhe vlera të qëndrueshme.
Përveç librave në gjuhën shqipe, vizitorët mund të gjejnë edhe tituj në gjuhën angleze, gjermane, turke dhe franceze.























