Kusari-Lila: Masa antidumping për grurin e kufizime për aluminin nga Serbia
BKT
Lajme

Kusari-Lila: Masa antidumping për grurin e kufizime për aluminin nga Serbia

V.Th / RTKLive

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar dy vendime të reja që kanë të bëjnë me masa tregtare ndaj Serbisë, përfshirë vendosjen e masave anti-dumping për importin e farës së grurit dhe kufizime sasiore për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini.

Sipas saj, vendimet janë marrë pas shqyrtimit të kërkesës nga Departamenti i Tregtisë dhe konsultimit me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në importe.

“Gjetjet e analizës preliminare tregojnë se ekzistojnë indikacione se importi i këtij produkti nga Serbia përmes shitjes me çmimet dumping dhe në sasi të konsiderueshme si dhe me cilësi të dyshuar, po shkakton dëme materiale ndaj industrisë vendore të prodhimit të farës së grurit në Kosovë”, u shpreh Kusari-Lila.

Ajo shtoi se analiza bazohet në të dhëna të ndryshme të sektorit, përfshirë prodhuesit vendorë, pikat e shitjes me pakicë, Doganën e Kosovës, Ministrinë e Bujqësisë dhe zhvillimit rural, si dhe çmimet e tregut në Serbi.

“Nëse gjatë fazës së hetimit vërtetohen dyshimet për aplikimin e çmimeve dumping dhe dëmi i shkaktuar ndaj industrisë vendore, në përputhje me nenin tridhjetë e nëntë të Ligjit për masat antidumping dhe masat kundërbalancuese, si ministre do të marrë vendim për vendosjen e detyrimeve të përkohshme antidumping për mbrojtjen e prodhimit vendor”, deklaroi ajo, duke shtuar se masat mund të vendosen brenda afateve ligjore nga 60 ditë deri në 9 muaj nga fillimi i hetimit.

Kusari-Lila njoftoi gjithashtu edhe për vendimin e dytë që do të përcillet në Qeveri, i cili parasheh vendosjen e kuotës sasiore për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini nga Serbia.

Sipas saj, qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e prodhimit vendor dhe sigurimi i kushteve të barabarta të konkurrencës në treg.

Ajo përmendi edhe zhvillimet që, sipas saj, kanë ndikuar në këtë vendim, duke thënë se nga janari i këtij viti Departamenti i Tregtisë është njoftuar për pengesa në eksportin e produkteve kosovare drejt Serbisë.

“Këto shqetësime vijnë pas vendosjes së masave kufizuese sasiore nga autoritetet e Serbisë… kjo rregullore është zgjatur duke përfshirë vazhdimin e afatit të zbatimit deri në dhjetor të këtij viti si dhe duke rritur edhe gamën e produkteve dhe të sektorëve”, u tha në deklaratë.

Ajo shtoi se këto masa ndikojnë drejtpërdrejt në eksportet e Kosovës, veçanërisht në sektorin e çelikut dhe materialeve ndërtimore.

“Në përgjithësi, si rezultat i këtyre barrierave të pajustifikuara, Republika e Kosovës vazhdon të përballet me një disbalanc të konsiderueshëm tregtar në raport me Serbinë”, u tha më tej.

Sipas të dhënave të prezantuara, importet nga Serbia arrijnë në 234 milionë euro, ndërsa eksportet drejt Serbisë 61.5 milionë euro.

Në këtë kontekst, Kusari-Lila theksoi se sektori i metalit dhe çelikut ka rëndësi strategjike për industrinë e ndërtimit dhe është pjesë e prioriteteve zhvillimore industriale të vendit.


MË SHUME NGA Lajme