Java përmbyllëse e “Chopin Piano Fest” sjell emra të njohur ndërkombëtarë
Kimete Kasumi/ RTKlive
Festivali ndërkombëtar "Chopin Piano Fest 2026", i cili tashmë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe rajon, po shënon javën e tij përmbyllëse. Sipas drejtoreshës artistike, Lejla Haxhiu Pula, edicioni i 16-të ka sjellë një program të pasur artistik dhe një pjesëmarrje të madhe të publikut. Sponsor medial i festivalit është Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
Në emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK, ajo tha se festivali tashmë ka fituar identitetin dhe qëndrueshmërinë e vet, duke tërhequr artistë të njohur ndërkombëtarë dhe një audiencë besnike që e ndjek çdo vit programin.
"Mund të them se çdo gjë sivjet ka shkuar më lehtë. 16 vjet organizim do të thotë se jemi afër moshës së maturisë, së shpejti bëhen 18 vjet prej se kemi filluar. Tashmë nuk ka nevojë për dëshmi të vlerës apo rëndësisë, pasi festivali e ka marrë ecjen e vet. Publiku ka mbetur i magjepsur me nivelin dhe virtuozitetin e shfaqjeve artistike", tha Haxhiu-Pula.
Ajo veçoi mbrëmjen “Piano & Dance”, ku morën pjesë artistë ndërkombëtarë dhe balerina Mërgime Morina, aktivitet që tërhoqi interesim të madh të publikut.
Drejtoresha artistike theksoi se festivali vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë edukimit dhe promovimit të talenteve të reja përmes masterklasave dhe mbrëmjeve të laureatëve nga shkollat e muzikës në Kosovë. Ajo vlerësoi se përkrahja e artistëve të rinj mbetet një nga shtyllat kryesore të festivalit dhe një garanci për të ardhmen e tij.
Chopin Piano Fest ka shërbyer gjithashtu si platformë e diplomacisë kulturore, duke sjellë artistë nga mbi 50 shtete dhe duke bashkëpunuar me ambasada të ndryshme.
Në kuadër të programit përmbyllës, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin e pianistit dhe kompozitorit turk Fazıl Say, i cili do të interpretojë veprën “Mother Earth”, të frymëzuar nga shqetësimet globale për ndryshimet klimatike. Koncerti organizohet në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.























