Telekomi sqaron për të drejtat e transmetimit të Botërorit 2026
BKT
Sport

Telekomi sqaron për të drejtat e transmetimit të Botërorit 2026

A.B|RTKLive

Telekomi i Kosovës, njofton se ka siguruar qasje të gjerë në Kupën e Botës FIFA 2026 për qytetarët e Kosovës.

"Telekomi i Kosovës, si kompani publike që operon në treg sipas parimeve komerciale dhe financohet nga aktiviteti i vet biznesor, ka investuar në sigurimin e të drejtave ekskluzive të transmetimit të Kupës së Botës FIFA 2026 për territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës.

 Duke marrë parasysh interesimin e madh të publikut për këtë ngjarje sportive dhe diskutimet e ditëve të fundit, Telekomi i Kosovës, ka sqaruar se në bazë të marrëveshjeve që rregullojnë këto të drejta transmetimi, 64 nga gjithsej 104 ndeshje të Kupës së Botës transmetohen pa pagesë shtesë për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

"Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e ndeshjeve të kësaj ngjarjeje sportive është e qasshme për publikun e gjerë pa asnjë kufizim dhe pa ndonjë obligim financiar. Njëkohësisht, mbi 20,000 klientë të shërbimeve fikse të Telekomit të Kosovës kanë qasje në të gjitha 104 ndeshjet e Kupës së Botës pa pagesë shtesë, si pjesë e shërbimeve që tashmë përdorin. Për 40 ndeshjet që transmetohen ekskluzivisht, me qëllimin e vetëm që asnjë qytetari të mos i pamundësohet shikimi i botërorit, Telekomi i Kosovës ka krijuar një model të hapur qasjeje, i cili u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës t’i ndjekin këto ndeshje përmes platformës TV Vala kundrejt një pagese të vetme prej 20 eurosh për komplet botërorin. Kjo mundësi është e disponueshme për të gjithë përdoruesit e internetit në Kosovë, pavarësisht operatorit nga i cili marrin shërbimet",  thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës.

Për më tepër, Telekomi i Kosovës, njofton se ka qenë dhe mbetet i hapur për bashkëpunim komercial me operatorët e tjerë të tregut, duke u ofruar atyre mundësinë që përmbajtjen e plotë të Kupës së Botës ta përfshijnë në platformat e tyre dhe t’ua ofrojnë klientëve të vet sipas modelit që e konsiderojnë të përshtatshëm.

"Prandaj, pretendimet se qytetarëve të Kosovës u është pamundësuar përcjellja e Kupës së Botës nuk qëndrojnë. Përkundrazi, përmes kombinimit të transmetimeve publike në RTK, qasjes së plotë për klientët e Telekomit dhe mundësisë së hapur për të gjithë përdoruesit e internetit, Telekomi i Kosovës ka krijuar mekanizma që kjo ngjarje të jetë sa më e qasshme për publikun. Telekomi i Kosovës mbetet i përkushtuar që përmes investimeve në përmbajtje sportive, teknologji dhe shërbime të avancuara të krijojë vlerë të shtuar për klientët e vet dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Oferta jonë mbetet e hapur për individët dhe operatorët e interesuar që dëshirojnë të kenë qasje në përmbajtjen e plotë të Kupës së Botës FIFA 2026",  thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës.