Kurti pret certifikimin, analistët kërkojnë marrëveshje për zhbllokim|Video
BKT
Lajme

Kurti pret certifikimin, analistët kërkojnë marrëveshje për zhbllokim|Video

Elmina Osmani/RTK

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se bisedimet për formimin e institucioneve të reja do të nisin vetëm pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ndërkohë, partitë opozitare vazhdojnë të mos japin sinjale për bashkëpunim, ndërsa analistët paralajmërojnë se përplasjet politike mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjeve për krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve të reja do të nisin vetëm pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare. Kështu u përgjigj shkurt Kurti pas pjesëmarrjes në një aktivitet kulturor në Prishtinë.

"Porsa të certifikohen rezultatet, fillojmë komunikimet menjëherë", tha Kurti.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se rezultatet përfundimtare do të shpallen pas përfundimit të të gjitha procedurave ankimore. Legjislatura e re do të ketë përballë sfidën e zgjedhjes së presidentit, proces që sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese duhet të nisë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit. Ndërkohë partitë politike, PDK, LDK, AAK nuk kanë pranuar të përgjigjen nëse do të ketë bashkëpunim apo koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për të zgjidhur çështjen e presidentit.

Për analistët kosovarë, bashkëpunimi i partive opozitare me pushtetin duket i vështirë, pas konfrontimeve verbale që kanë pasur mes vete.

"E shoh shumë problem bashkëpunimin e partive politike. Sulmet dhe përplasjet publike ndërmjet eksponentëve politikë po e bëjnë edhe më të largët mundësinë e bashkëpunimit. Në fund, ose do të pësojë Kosova, ose njëri nga subjektet politike", pohoi për RTK, Sadik Zeqiri, analist politik.

"Prandaj do të duhej që ta kuptojnë që është momenti i fundit që nuk mund ta bëjën lojën e tyre politike patologjike në dëm të qytetarëve dhe të republikës, asnjë subjekt politik. Është vonë kjo pas certifikimit por ish dashtë çdo ditë, natë kohë e minut i kaluar i lirë që nuk është i angazhuar kryeministri në detyrë dhe të tjerët, të merren me koordinimin e një bashkëpunimi me cilindo subjekt politik", theksoi Mazllum Baraliu, profesor universitar.

Sipas Kushtetutës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare. Deri atëherë, vëmendja mbetet te certifikimi i rezultateve dhe gatishmëria e partive politike për të arritur kompromiset e nevojshme për krijimin e institucioneve të reja.


MË SHUME NGA Lajme