Serbia i cakton 30 ditë paraburgim Osman Selmanit / Video
Visar Shatrolli / RTK
Ditën e premte, Gjykata e Lartë në Serbi i caktoi 30 ditë paraburgim shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, i cili u arrestua më 1 korrik nga policia serbe.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se Selmani u arrestua në pikëkalimin kufitar në Mutivodë, nën dyshimin për krime lufte.
Në njoftimin e MUP-it serb thuhet se "ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14 qershor 1999, në lagjen Sofali të Prishtinës, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq".
Megjithatë, këto pretendime të autoriteteve serbe i hedh poshtë kategorikisht djali i Osman Selmanit, Arben Selmani.
Në një deklaratë për RTK-në, ai i ka cilësuar si të pabazuara dhe të rreme akuzat e Prokurorisë së Serbisë, duke thënë se babai i tij nuk ka qenë ushtar i UÇK-së dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me vrasjen për të cilën akuzohet.
"Prindi që akuzohet nga ajo aktakuzë nuk ka qenë prezent. Ne kemi qenë në Maqedoni. Mund të ndodhë që ta kenë ngatërruar me vëllanë e tij, por as kjo nuk qëndron, sepse e gjithë familja, bashkë me babanë, kemi qenë në Maqedoni gjatë asaj periudhe. Ne jemi kthyer në Prishtinë më 21 qershor...", ka thenw Arben Selmani, djali i Osman Selmanit të arrestuar në Serbi.
Arben Selmani ka deklaruar se babai i tij ka udhëtuar dhjetëra herë drejt vendlindjes së tij në Medvegjë dhe se asnjëherë nuk është ndaluar nga autoritetet serbe.
Sipas tij, këtë e dëshmon edhe letërnjoftimi serb me të cilin ishte pajisur babai i tij.
"Prindi ka qenë në vizitë në Banjën e Sijarinës, sepse me origjinë është nga ajo zonë. Si familje vijmë nga Medvegja. Kemi qenë banorë autoktonë të atyre trevave dhe atje kemi ende familjarë, si dhe të afërm të varrosur në Medvegjë...", ka thënë Selmani.
Ai ka bërë të ditur se familja e tij është shpërngulur nga Medvegja në lagjen Sofali të Prishtinës në vitet '70 dhe se prej asaj kohe jeton në Prishtinë.
"Prindi nuk ka mundur të marrë pjesë në atë vrasje, sepse në kohën dhe ditën për të cilën po flitet, dihet se Sofalia ka qenë e mbushur me forca serbe. Ne e dimë se deri më 15 ose 16 qershor forcat serbe kanë qenë ende të pranishme në lagje...", ka shtuar ai.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dënuar arrestimin e qytetarit të Kosovës, Osman Selmani, nga autoritetet serbe, duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ta lidhur këtë rast me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa bazë faktike apo ligjore.























