Spahiu: RTK përkulet para sakrificës së punëtorëve të TV Prishtinës
V.Th / RTKLive
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Zana Spahiu, ka përkujtuar 36-vjetorin e largimit të dhunshëm të punëtorëve të Televizionit të Prishtinës, duke e cilësuar atë një ditë të dhimbshme, por edhe krenare në historinë e medias në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Spahiu ka thënë se punëtorët e Televizionit të Prishtinës u larguan me dhunë nga vendet e tyre të punës, por jo nga kujtesa kolektive.
"Ata u larguan me dhunë nga vendet e tyre të punës, por nuk u larguan kurrë nga kujtesa jonë. U ndalua puna e tyre, por nuk u shua misioni i tyre. U tentua të heshtet zëri shqip, por ai zë vazhdoi të jetojë në zemrat e qytetarëve tanë", ka shkruar Spahiu.
Ajo ka theksuar se kontributi i tyre mbetet themel mbi të cilin qëndron edhe sot transmetuesi publik.
"Sot, RTK-ja përkulet me nderim para sakrificës së tyre dhe u shpreh mirënjohje të përjetshme për guximin, përkushtimin dhe dinjitetin profesional", ka thënë Spahiu.
Në fund të mesazhit të saj, Spahiu u ka drejtuar një mesazh simbolik ish-punëtorëve të Televizionit të Prishtinës, duke shkruar: "Mirë se vini në shtëpinë tuaj."























