AUV demanton publikimin e rezultateve të analizave për qumështin `Vita`
BKT
Lajme

AUV demanton publikimin e rezultateve të analizave për qumështin `Vita`

G.K/RTKlive

(E përditësuar 21:48) Pas publikimit nga qumështorja "Vita" se kanë dalë rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të qumështit "Vita”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka reaguar duke i demantuar këto informacione. Sipas AUV-së, analizat janë ende në proces përpunimi dhe rezultatet zyrtare nuk janë publikuar.

AUV bën të ditur se nuk ka përcjellë asnjë email me rezultate, pasi ato ende nuk janë.

Sipas AUV-së, lajmi me këto rezultate nuk paraqet qëndrimin zyrtar të institucionit dhe as nuk vjen nga institucioni. Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar.

Siç është theksuar edhe gjatë takimit të mbajtur sot me përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, rezultatet zyrtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të të gjitha analizave laboratorike dhe verifikimit të tyre nga autoritetet kompetente.

AUV u bën thirrje mediave dhe opinionit publik që t’u referohen vetëm komunikimeve zyrtare të Agjencisë dhe të mos publikojnë informacione të paverifikuara, të cilat mund të dezinformojnë publikun dhe të dëmtojnë besimin në procesin e kontrollit zyrtar.

(20:33) Vita: Produktet nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe vaj palme

Qumështorja Vita ka njoftuar se, sipas rezultateve të përcjella nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, produktet e saj të qumështit nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe as vaj palme.

Sipas Qumështores Vita, pas përfundimit të protestës së fermerëve më 06.07.2026, AUVK i ka përcjellë një email me rezultatet e mostrave të produkteve të saj, ku rezulton se produktet e Qumështores Vita nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe nuk përmbajnë vaj palme.

Qumështorja Vita ka bërë të ditur se gjatë një takimi ndërmjet përfaqësuesve të fermerëve, ministrit dhe përfaqësuesve të kompanisë, është dakorduar që të vazhdojë përkohësisht mbledhja e qumështit nga fermerët.

Sipas Qumështores Vita, ky vendim është marrë për hir të fermerëve dhe për shkak se ministri Muja ka premtuar se rezultatet e analizave të mostrave të marra më 02.07.2026 do të publikohen jo më larg se 13.07.2026, deri kur Qumështorja Vita do të vazhdojë mbledhjen e qumështit. 


MË SHUME NGA Lajme