Brenda tri ditësh u raportuan 70 raste të infektimit nga ushqimi
BKT
Lajme

Brenda tri ditësh u raportuan 70 raste të infektimit nga ushqimi

Valjeta Shala/ RTK

Rritja e temperaturave ka sjellë një alarm të rëndë për shëndetin publik në kryeqytet. Mbi 70 qytetarë kanë kërkuar ndihmë urgjente mjekësore në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare dhe nëpër qendrat e mjekësisë familjare, si pasojë e një helmimi masiv nga ushqimi. Pacientët kanë shfaqur simptoma të rënda vetëm pak orë pasi kanë konsumuar ushqim në një biznes gastronomik në Prishtinë.

Klinika Infektive ka njoftuar se kërkesa për ndihmë mjekësore ka filluar nga e premtja, ndërsa nga numri i përgjithshëm i të prekurve, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm për shkak të gjendjes më të rënduar shëndetësore.

Simptomat kryesore që kanë shoqëruar të helmuarit përfshijnë ethe, temperaturë të lartë, dhimbje të forta barku, të vjella dhe diarre.

Policia e Kosovës ka noftuar se më 10 korrik, ka pranuar informatë lidhur me dyshimin për helmim nga ushqimi të disa personave. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Temperaturat e larta përshpejtojnë rritjen e baktereve në ushqime, duke rritur ndjeshëm rrezikun e helmimit. Ndaj mjekët paralajmërojnë për kujdes të shtuar gjatë kësaj kohe.

Pas këtij rasti, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë bërë thirrje të prerë për kujdes të shtuar.

Agjencia e Ushqimit thekson se jetëgjatësia e produkteve varet drejtpërsëdrejti nga mënyra e ruajtjes së tyre dhe se siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët. Autoritetet kanë paralajmëruar rritje drastike të kontrolleve në terren gjatë muajve të verës, duke theksuar se asnjë shkelje ligjore nuk do të tolerohet.


MË SHUME NGA Lajme