Plani për Çarshinë e Madhe
Sh.G|RTKlive
Gjakovë, vazhdon hartimi i Planit të Konservimit dhe Menaxhimit të Integruar për Çarshinë e Madhe.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se ka vazhduar procesi i hartimit të Planit të Konservimit dhe Menaxhimit të Integruar për Çarshinë e Madhe në Gjakovë, përmes mbledhjes së Grupit Konsultativ të Projektit.
Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e para të Studimit Preliminar të Strukturës Urbane, i realizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Gjakovë, me mbështetjen e UN-Habitat në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).
Sipas Ministrisë, studimi analizon katër elemente kryesore: trashëgiminë kulturore, strukturën urbane, shfrytëzimin e tokës dhe rrjetin rrugor. Bazuar në këto analiza, është prezantuar edhe propozimi fillestar për përcaktimin e kufijve të perimetrit dhe të zonës mbrojtëse të Çarshisë së Madhe.
Ministria bën të ditur se propozimi është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe me metodologjinë e UNESCO-s për Peizazhin Urban Historik.
Sipas njoftimit, ky konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt hartimit të një plani të integruar që synon mbrojtjen e vlerave unike të Çarshisë së Madhe, duke mbështetur njëkohësisht zhvillimin e saj të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.
Në fund të njoftimit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka falënderuar anëtarët e Grupit Konsultativ për angazhimin, diskutimet konstruktive dhe kontributin e tyre në këtë proces.























