MCA Kosova dhe UP krijojnë Qendrën për Energji dhe Inovacion
BKT
Lajme

MCA Kosova dhe UP krijojnë Qendrën për Energji dhe Inovacion

B.H./RTKlive

MCA Kosova dhe Universiteti i Prishtinës kanë finalizuar marrëveshjen për themelimin e Qendrës për Energji dhe Inovacion, një projekt që synon të zhvillojë kuadro profesionale për sektorin energjetik dhe të mbështesë tranzicionin drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv për programe në MCA Kosova, Burim Hashani, tha në RTK se qendra do të shërbejë si një qendër e ekselencës për zhvillimin e kuadrove profesionale në sektorin e energjisë.

"Kemi finalizuar marrëveshjen me Universitetin e Prishtinës për themelimin e Qendrës për Energji dhe Inovacion. Kjo qendër do të shërbejë si një qendër e ekselencës që do të prodhojë kuadro profesionale teknike të avancuara për sektorin e energjisë", tha Hashani.

Ai theksoi se sektori i energjisë në Kosovë po transformohet me zhvillimin e energjisë diellore, të erës dhe burimeve të tjera të ripërtëritshme, ndërsa nevoja për fuqi punëtore të specializuar po rritet vazhdimisht.

Qendra do të vendoset në hapësirat e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, ku do të ndërtohen laboratorë modernë dhe do të zhvillohen programe të akredituara trajnimi.

Programet e para do të fokusohen në instalimin dhe mirëmbajtjen e paneleve diellore, sistemet me biomasë dhe mirëmbajtjen e turbinave të erës.

Hashani bëri të ditur se trajnimet e para pritet të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm.

"Në fillim të vitit pritet të shpallet thirrja e parë për pjesëmarrësit, pasi të përfundojnë rehabilitimi i hapësirave, pajisja e laboratorëve dhe akreditimi i programeve", tha ai.

Sipas tij, trajnimet do të jenë të hapura për të gjithë personat që kanë përfunduar arsimin e mesëm, pa kufizim moshe, ndërsa kohëzgjatja e tyre do të variojë nga disa javë deri në gjashtë muaj, varësisht nga programi.

"Sektori i energjisë është shumë premtues. Nuk është vetëm për inxhinierë. Ka nevojë për ekonomistë, juristë, specialistë të IT-së dhe profile të tjera. Është një sektor me paga konkurruese dhe me perspektivë afatgjatë", u shpreh Hashani.

Ai shtoi se qendra synon të trajnojë rreth 120 deri në 150 persona në vitet e para të funksionimit, ndërsa më pas kapaciteti pritet të rritet në rreth 800 pjesëmarrës në vit.

Një fokus i veçantë do t'u kushtohet grave dhe vajzave, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së tyre në sektorin e energjisë.

"Sektori i energjisë nuk është vetëm për burra. Është një sektor atraktiv dhe dëshirojmë të rrisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në këtë fushë", tha Hashani.

Sipas Hashanit, modalitetet e pagesës për trajnimet janë ende në shqyrtim, ndërsa po vlerësohen edhe mundësitë për bursa dhe mbështetje financiare për kategori të caktuara të pjesëmarrësve.


MË SHUME NGA Lajme