Haxhiu në 20-vjetorin e APK-së: Lufta kundër korrupsionit, besim te shteti
BKT
Lajme

Haxhiu në 20-vjetorin e APK-së: Lufta kundër korrupsionit, besim te shteti

Medina Pasoma / RTKlive

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka përmbyllur Javën Kundër Korrupsionit, duke shënuar 20-vjetorin e institucionit në shërbim të transparencës dhe integritetit.

Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit tha se 20-vjetori është arritur duke pasur në çdo etap qëllimin te forcimi i integritetit të institucioneve publike.

“Historia e agjencisë është më tepër se historia e një institucioni. Është histori e mënyrës se si Kosova ka ndërtuar hap pas hapi kulturën e integritetit institucional. Kur agjencia u themelua para 20 vitesh, sfidat ishin shumë më të mëdha. Duhej të ndërtohej nga fillimi një institucion, duhej të ndërtohej besimi në institucion, duhej të ndërtohej një kulturë e re institucionale. Sot pas dy dekadash, e kemi shumë më lehtë sepse besojmë që jemi krenarë për punën e agjencisë sepse është qëndruar një institucion modern, një institucion profesional dhe një institucion të besuar”, ka thënë ai.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu tha se çdo akt kundër korrupsionit është një akt në mbrojtje të Kosovës.

“20 vjet janë dëshmi e pjekurisë së një institucioni, por kur misioni është mbrojtja e interesit publik, çdo vit është një provë në vete. Sepse korrupsioni nuk pushon kurrë, ai ndryshon formë, kërkon rrugë të reja dhe përpiqet të depërtojë aty ku institucionet dobësohen dhe ku vigjilenca zbehet. Prandaj, lufta kundër korrupsionit nuk është një betejë që fitohet një herë e përgjithmonë, është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbrojtur besimin e qytetarëve tek shteti, pra tek Republika jonë”, ka thënë Haxhiu.


MË SHUME NGA Lajme