Avdullahu pranon fajësinë për kanosjen ndaj Gucatit
BKT
Lajme

Avdullahu pranon fajësinë për kanosjen ndaj Gucatit

Sh.Çoçaj/RTKlive

Gjykata Themelore në Drenas ka miratuar pranimin e fajësisë së Eqrem Avdullahut, i akuzuar për veprën penale të kanosjes ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati. Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata caktoi shpalljen e aktgjykimit për 23 korrik 2026, ndërsa gjatë seancës palët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me rastin dhe pasojat e pretenduara të kërcënimit.

I akuzuari Eqrem Avdullahu e ka pranuar fajësinë për veprën penale “kanosje” ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Drenas.

Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata e miratoi atë, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për 23 korrik 2026, në orën 11:30.

“Jam fajtor, e ndjej veten fajtor. Kërkoj falje”, deklaroi Avdullahu para gjykatës.

Avokati i të dëmtuarit, Halim Shala, tha se pranimi i fajësisë mund të konsiderohet rrethanë lehtësuese, por sipas tij nuk e zvogëlon seriozitetin e veprës.

Gjyqtari Shefqet Baleci njoftoi se gjykata e ka miratuar pranimin e fajësisë, ndërsa vendimi do të shpallet në seancën e radhës.

Pas përfundimit të seancës, Hysni Gucati deklaroi se do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore ndaj personave që, sipas tij, fyejnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe veteranët e saj.

“Ju e patë edhe vetë, për personin i cili më ka kërcënu edhe më fyen, po edhe më thotë që unë e marr pagën qe 9 vite pa punu fare në shkollë. Kjo gjë është e pavërtetë, është e paqëndrueshme. Unë ia kam lënë drejtësisë këtë rast edhe drejtësia do të merret me këtë personin. Ky s’është i pari. Kam ngrit shumë padi dhe do të ketë edhe të tjera nga Gjermania, Austria e vende të tjera ndaj personave që kanë fyer UÇK-në dhe mua personalisht. I ftoj të gjithë veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve që të ndjekin rrugën ligjore dhe të paraqesin padi. Nuk kemi nevojë të fjalosemi mes vete, por t’i drejtohemi drejtësisë”, tha Gucati.

Ai bëri të ditur se ka iniciuar padi edhe në Gjermani dhe Zvicër ndaj personave të tjerë që, sipas tij, e kanë fyer atë dhe UÇK-në.

“Unë i kam bo padi edhe në Zvicër, dy njerëzve i kam bo edhe në Gjermani në Dortmund. Njëri është nga Skënderaj, tjetri është nga Malisheva. Me anë të avokatëve në Gjermani kam informata se policia gjermane i ka identifikuar. Kur do të ekstradohen nuk e di. Më vjen keq që një burrë i moshuar shkruan në Facebook, shan, fyen dhe thotë që zgjidhja është pushkatimi. Unë jam gjallë, kam familje dhe askush nuk duhet ta cenojë integritetin tim si kryetar i veteranëve”, deklaroi ai.

Edhe avokati Halim Shala theksoi se synimi i tyre është që raste të tilla të marrin epilog ligjor dhe të mbrohet integriteti i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Ne po pretendojmë që e vërteta të dalë në shesh. Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare nuk mund të cenohet dhe nuk mund të fyhet nga asnjë individ. Do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi ligjore edhe në rastet e tjera, pasi ka persona të ndryshëm, disa me llogari false, që vazhdojnë linçimet publike me qëllim degradimin e organizatës dhe të çdo pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Shala.

Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja Albiona Musaj, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, Avdullahu, përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, e ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin.

Në aktakuzë thuhet se në faqen “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Gucatit me mbishkrimin: “Prokuroria heton Hysni Gucatin – morri rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”, ndërsa Avdullahu, nga llogaria e tij personale në Facebook, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.

Sipas Prokurorisë, ky koment i ka shkaktuar të dëmtuarit frikë, ankth dhe pasiguri për jetën, duke përmbushur elementet e veprës penale të kanosjes.


MË SHUME NGA Lajme