Përmbyllet Programi për Këshillim në Punësim, certifikohen 33 këshilltarë
BKT
Lajme

Përmbyllet Programi për Këshillim në Punësim, certifikohen 33 këshilltarë

K. K. / RTKlive

Në Universitetin e Prishtinës është mbajtur ceremonia përmbyllëse e programit “Job Placement Counselling”, ku 33 zyrtarë të punësimit u pajisën me certifikata pas përfundimit me sukses të trajnimit.

Gjatë ceremonisë, u tha se ky program ka një rëndësi të veçantë për Universitetin e Prishtinës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se ky program ka pasur në qendër zhvillimin e komperencave të këshilltarëve të punës, duke theksuar se roli i tyre po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

“Programi “Job Placement Counselling” ka pasur në qendër zhvillimin e kompetencave të këshilltarëve të punës, aftësinë për të orientuar individët, për të kuptuar nevojat e tyre, për t’i informuar mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, për t’i mbështetur në vendimmarrje e për t’i ndihmuar të ndërtojnë rrugë të qarta drejt tregut të punës. Në një kohë kur tregu i punës po ndryshon me shpejtësi, kur kërkohen aftësi të reja, përshtatje e vazhdueshme dhe mësim gjatë gjithë jetës, roli i këshilltarit të punës bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Këshilltari nuk është vetëm ndërmjetës mes punëkërkuesit dhe punëdhënësit, ai është udhërrëfyes, mbështetës dhe promovues i mundësive të barabarta”, theksoi ai.

Ndërkaq, ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, theksoi se investimi te qytetarët ndihmon këta te fundit të gjejnë punë, ndërtimin e të ardhmes dhe zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa theksoi se punësimi është ndër prioritetet kryesore të kësaj ministrie.

“Investimi te njerëzit siç e dini ndihmon qytetarët të gjejnë një vend pune, të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për vete dhe familjet e tyre, por është edhe një investim për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. 33 zyrtarët e punësimit kanë përfunduar me sukses programin “Job Placement Counseling”, i cili ju pajis me njohuri të reja, metoda moderne të këshillimit dhe aftësi profesionale që do t’i zbatoni në punën tuaj të përditshme. Punësimi është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë sonë, Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare”, pohoi ai.


MË SHUME NGA Lajme